BILANCI/ Në shkurt, Policia e Shtetit zhvilloi 105 operacione dhe arrestoi 792 persona

Policia e Shtetit ka zhvilluar 105 operacione dhe ka vënë në pranga 792 persona gjatë muajit shkurt, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, kapjes së personave në kërkim dhe garantimit të rendit dhe sigurisë.

Sipas njoftimit zyrtar, 23 shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për krime të rënda, përfshirë trafikimin e narkotikëve dhe krime kundër personit, u arrestuan në Shqipëri me qëllim ekstradimin. Gjithashtu, 8 shtetas të kërkuar nga autoritetet shqiptare u ekstraduan në vend nga partnerët ndërkombëtarë.

Në kuadër të operacioneve për goditjen e krimit të organizuar, u kapën 55 persona në kërkim kombëtar, ndërsa u sekuestruan 27 armë zjarri, 3 silenciatorë, 85 kapsolla detonatore dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Policia ka zbuluar dhe sekuestruar 40 kilogramë kanabis, rreth 5 kilogramë kokainë, qindra doza heroine, si dhe pajisje për përpunimin e lëndëve narkotike. Dy ambiente të përshtatura për kultivimin e kanabisit, me 780 bimë dhe pajisje speciale, u zbuluan gjatë kontrolleve në terren.

Gjithashtu, dy operacione në Tiranë goditën trafikimin e kanabisit nga Tajlanda nëpërmjet shërbimit postar, ndërsa në bashkëpunim me autoritetet italiane u shkatërruan dy grupe të strukturuara kriminale që vepronin në fushën e narkotikëve.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë sekuestruar pasuri me vlerë 1.5 milionë euro dhe janë goditur disa raste të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimeve financiare. Një operacion i zhvilluar me partnerët amerikanë zbuloi një grup që falsifikonte dokumente për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia Rrugore intensifikoi kontrollet në të gjitha akset e vendit, duke arrestuar 215 drejtues mjetesh, 116 prej të cilëve për drejtim në gjendje të dehur dhe 99 për mungesë leje drejtimi. Janë pezulluar 200 leje drejtimi për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Kufitare ka parandaluar 60 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 19 raste të falsifikimit të dokumenteve dhe 10 raste të kontrabandës së mallrave.

Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të goditur krimin e organizuar dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, duke ftuar qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri.