I arrestuar nga SPAK, kush është Ervis Alisinanaj, efektivi i shkarkuar në 2022
Ervis Alisinanaj është efektivi tjetër i arrestuar në kuadër të operacionit antidrogë të zhvilluar nga Porkuroria e Posaçme këtë të shtunë.
Alisinanaj aktualisht në postin e shefit të Krimeve në Komisariatin e Lushnjes akuzohet nga SPAK për kultivim kanabisi, grup i strukturuar kriminal, shpërdorim detyre dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Alisinanajt i rëndon edhe akuza e ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Kush është Ervis Alisinanaj
Ervis Alisinanaj aktualisht mban postin e Shefit të Krimeve në Komisariatin e Lushnjes. Alisinanaj më herët ka qënë pjesë e policisë kufitare të Vlorës. Ai ka mbajtur detyrën e specialistit pranë këtij Sektori. Alisinanaj është shkarkuar më pas nga ky post më 2 gusht të vitit 2022 për shkak të tragjedisë së ndodhur në Potam ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare.
Kreu i Policisë së Shtetit asokohe, Gledis Nano, pas analizës së hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur, në Potam ku humbi jetën një 7-vjeçare si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie, mori vendimin për shkarkimin nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues dhe të personave përgjegjës në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë dhe mes tyre ishte dhe Alisinanaj. Më vonë ai është emëruar në postin e Shefit të Krimeve në Lushnje, post që mban aktualisht.
