Stadiumi ‘Hassan II’, gati në dhjetor 2027, kandidat për finalen e Kupës së Botës 2030
Stadiumi ‘Hassan II’, në Casablanca (Marok), që synon të rivalizojë me mitikët "Santiago Bernabéu" në Madrid dhe "Camp Nou" në Barcelonë për të pritur finalen e Kupës së Botës 2030, e cila do të organizohet së bashku me Spanjën dhe Portugalinë, do të jetë gati në dhjetor të vitit 2027.
Data u bë e ditur të enjten gjatë një mbledhjeje të Komitetit Sportiv që ndjek projektet e stadiumeve për Kupën e Kombeve të Afrikës 2025 dhe për Botërorin 2030, të kryesuar nga kryeministri maroken, Aziz Ajanuch.
"Komiteti ka marrë në shqyrtim progresin e punimeve për ndërtimin e stadiumit ‘Hassan II’, në Benslimane, në përputhje me standardet e FIFA-s, i cili do të jetë gati në dhjetor 2027 me synimin për të pritur ndeshjet e Kupës së Botës 2030", deklaroi Aziz Ajanuch.
Infrastruktura, një projekt i firmës arkitekturore Populous, do të ketë një kapacitet prej 115 mijë spektatorësh dhe aktualisht po ndërtohet në një zonë prej më shumë se 100 hektarësh, në mes të një pylli në Mansouria, në qytetin e Benslimanit, në veri të Casablancës.
Arkitekti kryesor i stadiumit, Tarik Oualalou, e cilësoi këtë impiant si më të përshtatshmin për të pritur finalen e Kupës së Botës 2030, në krahasim me rivalët "Santiago Bernabéu" dhe "Camp Nou", të cilët janë tri stadiumet e miratuara nga FIFA si opsione të mundshme për ndeshjen për titull.
