Refuzimi i Barcelonës, një vendim që i është kthyer kundër? Iñaki Williams mbron vëllanë e tij Nico

Refuzimi i Nico Williams ndaj Barcelonës ndoshta i është kthyer kundër. Pas një sezoni të shkëlqyer me Athletic Bilbaon (8 gola dhe 16 asistime) dhe një Evropiani të fituar si protagonist krah Lamine Yamal me Spanjën, këtë sezon anësori i majtë i lindur në 2002 po përjeton shumë ulje-ngritje.

Për pasojë, kritikat nuk kanë munguar dhe vëllai i tij i madh, Iñaki Williams, ka ndërhyrë për ta mbrojtur.

Në një intervistë për ‘Gol’, disa ditë para përballjes ndaj Atletico Madridit në "Metropolitano", një ndeshje që mund të rikthejë baskët në garën për titull në La Liga, Iñaki komentoi mbi situatën e vëllait të tij:

"Nuk ka qenë e lehtë gjithçka që i ka ndodhur.

Ai është ende shumë i ri. Gjithçka i ka ardhur shumë shpejt.

Të marrësh vendime vetëm, është gjithmonë e ndërlikuar, veçanërisht kur të vënë në gojë fjalë që nuk i ke thënë kurrë."

Duke iu referuar vendimit të Nico Williams për të mos iu bashkuar Barcelonës, Iñaki beson se ai do të shpërthejë këtë sezon, pasi të kapërcejë problemet fizike:

"Duket sikur ke bërë një gabim kur zgjedh diçka ndryshe nga ajo që të gjithë presin.

Tani ndihet mirë (te Athletic Bilbao). E ka treguar këtë. Shpresoj që të ruajë këtë nivel deri në fund të sezonit."

Për momentin, krahas ambicieve për titullin, objektiv kryesor i Athletic Bilbaos është sigurimi i një vendi në Champions League. Aktualisht, skuadra baske ndodhet në vendin e katërt me 48 pikë.