Pishat e buta në bregdetin Adriatik kërcënohen nga dëmtuesi i ri, nevojë urgjente për mbrojtje

Prej më shumë se dy vitesh në pyjet e pishës së butë të Shqipërisë është evidentuar prania e një dëmtuesi të ri i quajtur “Breshkëza e pishës” (Toumeyella parvicornis).

Agjencia Kombëtare e Pyjeve në një postim në rrjetet sociale sqaron se “duke qenë një dëmtues i ri, njohja dhe zbatimi i praktikave të luftimit dhe mbajta e tij në kontroll janë në hapat e para. Veçanërisht shqetësues është bërë prania e këtij dëmtuesi në zonën e Qerretit, Mali i Robit-Golem ku në mënyrë të përsëritur banorë të zonës kanë ngritur shqetësimet e tyre në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Pyjeve dhe në bashkinë e Kavajës”.

Përpjekje për luftimin e tij janë bërë gjatë vitit të kaluar përmes metodës së endoterapisë që në vetvete konsiston në injektimin e trungut të pishës të një insekticidi që futet në lëngun natyral të drurit dhe arrin gjethet mbi të cilat ushqehet breshkëza (Toumeyella parvicornis), duke e vrarë atë brenda pak ditësh.

Sasia e insekticidit (abamectinës) që injektohet varet nga përmasat e drurit (kurora, diametri, etj). Trajtimi endoterapik rekomandohet të kryet midis shtator – dhjetorit (në varësi të zonës gjeografike dhe klimës), dëmtuesi kontrollohet plotësisht, me efektivitet të lartë. Sipas AKP-së, kostoja e kësaj ndërhyrje është shumë e lartë.

Në një bashkëpunim midis Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe Fakultetit të Shkencave Pyjore, me prezencën e përfaqësuesit Dr. Giuseppino Sabbatini, studiues entomolog në CREA – Qendra për Mbrojtjen dhe Certifikimin e Bimëve, Firence, Itali (Institucion në varësi të Ministrisë së Bujqësisë) gjatë 24-26 shkurtit u kryen vizita në terren dhe diskutime në ambiente të AKP-së mbi situatën e vërejtur në terren, mostrimin e dëmtuesit për ta analizuar në laboratorin gjenetik në Firence, njohjen e eksperiencës italiane në trajtimin e këtij dëmtuesi dhe qasjet në masat e kontrollit për dëmtuesin.

Disa nga përfundimet e nxjerra janë: prezenca dëmtuesit në pyjet e pishës së butë në Shqipëri është e 2-3 viteve të fundit ndërkohë që në Itali daton në 2014 për herë të parë në rajonin e Napolit dhe tashmë edhe në Bari, Romë dhe Toskana.

“Metoda më efektive e përdorur në Itali është endoterapia, e cila ka një kosto të konsiderueshme dhe duhet të përsëritet të paktën çdo 2 vite. Edhe në vendin tonë gjatë vitit 2023-2024 janë trajtuar disa drurë me këtë metodë. Metoda është shumë e kushtueshme dhe për më tepër kërkon kapacitete të larta teknike për implementim, të cilat aktualisht mungojnë në vendin tonë. Trajtimi është kryer nga kompani italiane”, theksoi AKP.

Së fundi, shton AKP, CREA po punon për ta mbajtur nën kontroll dëmtuesin me metoda biologjike duke kërkuar grabitqarin natyral të tij dhe më pas hedhjen në vatrat e infektuara me dëmtuesin e Toumeyella parvicornis.

Kjo, shton AKP, mund të jetë një nga rrugët më të qëndrueshme dhe me kosto të ulët.

Ndërsa Dr.Ramiz Metaliaj, pedagog pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës në një artikull  të publikuar thekson se “mënyra se si ky dëmtues shkatërron pemët është veçanërisht problematike. Nëpërmjet aktivitetit të tij të të ushqyerit, insekti shkakton tharje të pishave dhe, në rastet e infestimeve të rënda, mund të çojë në vdekjen e plotë të pemëve, siç është vërejtur tashmë në vendet fqinje”.

“Simptomat e infestimit përfshijnë praninë e një lëngu ngjitës të njohur si “vesa e mjaltit” dhe shfaqjen e mykut të zi mbi pishat dhe ndërtesat përreth. Ekspertët kryen vëzhgime në terren në tetor 2023 dhe përmes analizave të detajuara, konfirmuan praninë e insektit. Për të siguruar identifikimin, kërkuesit shkencorë krahasuan ADN-në e individëve të kapur në vendin tonë me ato nga Italia dhe Kanadaja, duke konfirmuar një përputhje të lartë”, tha Metaliaj.

Metaliaj sqaron se “zbulimi i këtij dëmtuesi në Shqipëri shton shqetësimet për dëmtimin që po shkakton dhe nevojën urgjente për mbrojtjen e pishave mesdhetare, të cilat luajnë një rol jetik në ekosistemet natyrore përgjatë bregdetit Adriatik dhe kanë rëndësi të madhe për peizazhin dhe mjedisin natyror të vendit. Ky zbulim është alarm për të gjithë rajonin mesdhetar, meqë këto pisha kanë rëndësi të madhe ekologjike dhe ekonomike për këtë zonë. Ndryshimet klimatike ndihmojnë në përhapjen e llojeve invasive, duke e bërë luftimin e tyre shumë të vështirë”.

“Në zonat e prekura duhen marrë masa për të frenuar përhapjen e T. parvicornis duke kryer inspektime të rregullta për të identifikuar zonat e infektuara, shkatërrimin e bimëve të infektuara, ndaluar transportin e bimëve jashtë zonës së prekur dhe kontrollin e dëmtuesve në mënyra të përshtatshme. Ekspertët po theksojnë nevojën urgjente për veprime efektive menaxhimi në shkallë të gjerë në të gjithë zonën e Ballkanit. Studimi tregon se masat për zbulimin e hershëm dhe strategjitë për kontrollin e këtij kërcënimi duhet të merren menjëherë për të parandaluar përhapjen e tij”, tha Metaliaj.