Aldor Nini i propozon SPAK krijimin e një platforme për të monitoruar ‘rrjetet’ për zgjedhjet

Drejtuesi i “Acromax” Aldor Nini  i ka propozuar SPAK - ut që t’i krijojë një platformë për të monitoruar rrjetet sociale për zgjedhjet dhe thotë se është gati për bashkëpunim.

Pas një vizite që bëri në zyrat e Prokurorisë së Posaçme ai deklaroi se ka shumë përpjekje për të mos lejuar persona të caktuar apo subjekte edhe mediatike publikimin e lajmeve  për zhvillimin e fushatës.

“Sot u paraqita në SPAK për të dorëzuar një propozim me masat që SPAK duhet të ndërmarrë lidhur me krimet për zgjedhjet. Lufta për votat nuk është tashmë vetëm në terren siç edhe SPAK ka ngritur grupin e posaçëm për ti hetuar, por është në rrjetet sociale. Ndoshta dhe SPAK vetë dhe shumë etnitete të tjera nuk e dinë se çfarë po ndodh”, tha ai.

Ai theksoi se manipulimi i zgjedhjeve nuk ndodh më vetëm në terren, por edhe në rrjetet sociale. Sipas tij, SPAK dhe institucionet e tjera duhet të ndërmarrin masa për të parandaluar ndërhyrjet e paligjshme në informacionin publik.

“Mediat tona zyrtare po sulmohen çdo ditë, edhe pa nisur fushata zgjedhore. Platforma anonime po përhapin lajme të rreme, ndërsa rrjetet sociale nuk marrin masa. Kemi kandidatë që u mbyllen profilet në Instagram, Facebook dhe platforma të tjera, përmes sulmeve të organizuara nga kundërshtarë politikë ose grupe interesi,” tha ai.