VLEN kërkon shkarkimin e kryeprokurorit, Snopçe: Drejtësia një nga sëmundjet më akute të Maqedonisë së Veriut

Halil Snopçe, deputeti shqiptar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një intervistë për “Ora News” mnë hapësirën dedikuar shqiptarëve sqaroi nismën e Koalicionit VLEN për shkarkimin e kryeprokurorit të vendit.

“Sistemi i drejtësisë është një nga sëmundjet më akute të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Normalisht nisma vjen në një kohë kur vetëm 2 për qind e qytetarëve besojnë te sistemi i drejtësisë, i cili është në një nivel të lartë të korrupsionit.

Dhe normalisht në këtë situatë nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që janë pikat kryesore të kërkesave të Bashkimit Evropian ndaj nesh dhe ky është prioritet i programit qeverisës të qeverisë aktuale.

Dhe mënyra se si zgjidhen këta njerëz, ku ata që ishin në drejtësi kanë kaluar në politikë. Dhe ne mendojmë se ka ardhur koha për një rifreskim të strukturave të drejtësisë në vend.

Dhe në këtë kuadër është dhe nisma jonë për shkarkimin e kryeprokurorit Koçeski. Ne kemi ngritur në interpelancë në Kuvend për 5 anëtarë të Këshillit Gjyqësor, dy prej të cilëve janë shqiptarë dhe ky Këshill ka përgjegjësinë më të madhe të prishjes së sistemit gjyqësor në vend”, u shpreh ndër të tjera deputeti Halil Snopçe.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DEPUTETIN HALIL SNOPÇE NË “ORA NEWS”