Shkodra: Zgjedhjet në Kosovë shkuan mirë deri në momentin e mbylljes së kutive

E ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Skype", ishte Makbule Shkodra, politologe dhe analiste politike, e cila ndër të tjera u shpreh se zgjedhjet në Kosovë shkuan mirë deri në momentin e mbylljes së kutive.

"Për herë të parë në Kosovë kemi zgjedhje të rregullta. KQZ ka pasur 4 vite kohë që të përgatitet. Dita  zgjedhjeve shkoi shumë mirë, mirëpo pasi u mbyllën kutitë e votimit filluan problemet. Prokuroria e shtetit ka hapur një hetim për të parë se si ndodhi që atë mbrëmje të kishte sulme të jashtme në faqen e KQZ dhe ky ishte problemi i parë. Nuk ka pasur një organizim të mirëfilltë nga ana e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Prej datës 9 shkurt e deri më sot ne jemi ende duke numëruar. Unë e di që çdo votë është e rëndësishme por a nuk kishte mundësi për të bërë ndonjë përgatitje më efektive në mënyrë që edhe procesi i numërimit të jetë pakëz më i shpejtë?"- u shpreh Shkodra.