Probleme për Ancelottin para derbit me Atlético Madridin në Champions League

Real Madridi ka marrë një goditje të fortë përpara duelit të dyfishtë me Atlético Madridin në fazën e 1/8-ave të UEFA Champions League dhe jo vetëm.

Dani Ceballos ka pësuar një dëmtim në këmbën e majtë pas një përplasjeje me Takefusa Kubo gjatë fitores së Real Madridit ndaj Real Sociedadit me rezultatin 1-0, në gjysmëfinalen e parë të Copa del Rey.

Mesfushori 28-vjeçar iu nënshtrua testeve mjekësore, të cilat konfirmuan shqetësimet që kishte ndier pas përplasjes me Kubo.

Sipas medieve spanjolle, Ceballos ka pësuar një dëmtim muskulor në këmbën e majtë dhe pritet të mungojë për dy muaj.

Kjo është një humbje e madhe për Carlo Ancelottin, i cili tashmë duhet të përballet me mungesa të rëndësishme në prag të sfidave vendimtare.