Rikonfirmohet Kujtim Dervishi në krye të Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave! Hajdari: Inspektimi online i subjekteve do të luftojë korrupsionin
Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare zgjodhi organet drejtuese dhe rikonfirmoi Kujtim Dervishin në postin e kryetarit. Përfaqësues të pushtetit lokal dhe qendror vlerësuan punën e Shoqatës, ndërsa Shkëlqim Hajdari njoftoi nisjen e inspektimit online të subjekteve pas datës 13 maj, një masë që do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit, pa penalizuar bizneset.
Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare ka zgjedhur organet drejtuese të saj dhe ka rikonfirmuar Kujtim Dervishin në postin e kryetarit.
Dervishi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për mbështetjen dhe bashkëpunimin në këtë proces të rëndësishëm, duke theksuar se angazhimi dhe puna e palodhur e anëtarëve të Shoqatës do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e sektorit të turizmit dhe bujtinave në Shqipëri.
Në këtë takim, janë bërë edhe disa ndryshime në nenet e statusit, për të përmirësuar funksionimin e Shoqatës dhe për të mundësuar një menaxhim më efikas dhe transparent.
Përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror ishin të pranishëm ku vlerësuan punën e shkëlqyer të Shoqatës dhe përpjekjet e saj për të promovuar turizmin dhe gastronominë shqiptare.
Ata theksuan se ky bashkëpunim është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për forcimin e lidhjeve mes biznesit dhe administratës publike.
Kryeinspektori Shkëlqim Hajdari u shpreh se pas datës 13 maj, do të nis inspektimi online , sistem ky që do të ngushtojë hapësirat për korrupsion.
Në këtë ngjarje morën pjesë 100 subjekte, duke përfshirë restorante, bujtina dhe prodhues vendorë si përpunues bulmeti apo kantina vere. Disa nga bizneset u vlerësuan për arritjet dhe punën e jashtëzakonshme që ata kanë realizuar gjatë vitit të fundit, duke kontribuar në rritjen dhe zhvillimin e sektorit turistik të Shqipërisë.

