VIDEO-Denoncimi: “Iliria” betonizon plazhin në Durrës. Betonieret “pushtojnë” bregdetin me bekimin e Sakos
Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e lajmeve në televizionin “Ora News”, ku një qytetar nga Durrësi denoncon masakrën e betonit që po ndodh këto ditë në zonën tek Hotel “Iliria”.
JA ÇFARË THOTË DENONCUESI
Dua të denoncoj një krim mjedisor që po ndodh në Durrës me bekimin e kryetares së Bashkisë Emiriana Sako.
Hotel Iliria po kryen punime për zgjerimin e biznesit, por nuk ka marrë leje nga Bashkia e Durrësit.
Kryetarja e Bashkisë ka vendosur të mos e shqetësojë biznesin deri në momentin që do mbarojë shtesën.
Këtu nuk ka një tabelë që lejohen punimet. Betonieret kanë marrë urdhër që të punojnë natën. Mjetet e rënda po shkatërrojnë edhe pistën që është ndërtuar së fundmi.
Me tonelata beton shkarkohet këtu në mesnatë, ndërsa ndotja mjedisore është në nivele alarmante.
Të gjitha ujërat e ndotur nga biznesi dhe punimet që po kryhen derdhen në det.
Betonizohet vija bregdetare dhe Bashkia mbyll sytë për punimet që po bëhen dhe për katastrofën mjedisore.
I bëj thirrje ministres Mirela Kumbaro të marrë masa të menjëhershme, se Bashkia e Durrësit do zgjohet vetëm kur biznesi të mbarojë punimet.

