Kremlini përsërit kundërshtimin ndaj paqeruajtësve evropianë në Ukrainë

Kremlini përsëriti të martën kundërshtimin ndaj pranisë së forcave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë për të siguruar një armëpushim të mundshëm, pas komenteve të presidentit amerikan Trump që pretendonte se Rusia do ta pranonte një masë të tillë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov thjesht vuri në dukje se kishte një qëndrim zyrtar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov kur u mor në pyetje për këtë çështje. “Unë nuk kam asgjë për të shtuar për këtë”, tha Peskov.

Duke folur gjatë një vizite të presidentit francez, Emmanuel Macron të hënën, Trump u pyet nëse do ta bindte Vladimir Putinin të pranonte trupat evropiane si paqeruajtëse. Presidenti amerikan u përgjigj “po, ai do të pranojë.”

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov e quajti të papranueshme praninë e paqeruajtësve nga vendet e NATO-s në Ukrainë, ndërsa zëvendësi i tij Alexander Grushko e cilësoi një dislokim të tillë si një përshkallëzim në luftën e nisur nga Moska tre vjet më parë.

Shumica e vendeve evropiane janë anëtarë të aleancës perëndimore të mbrojtjes NATO. Përjashtimet përfshijnë Austrinë, Zvicrën dhe Irlandën.