MARTESA E SHKURTËR ME MILANIN! Morata: Pas largimit të trajnerit nuk u ndjeva më i qetë
Ndryshimi i trajnerit të Milanit duket se ka qenë shkak pse Morata u largua brenda gjashtë muajsh nga ekipi. Pas kalimit në Turqi qendër sulmuesi u shpreh se planet te kuqezinjtë ndryshuan ndaj dhe ai nuk mundi të përshtatej
E shkurtër por intensive. Aventura e Alvaro Moratas në Milano mund të përmblidhet me këto dy mbiemra. I ardhur si kapiten i kombëtares spanjolle që sapo kishte triumfuar në Kampionatin Evropian, ish-qendërsulmuesi i Atletico Madrid zhgënjeu disi pritshmëritë gjatë muajve të tij në Milano.
Në 1500 minuta në të gjitha ndeshjet shënoi vetëm 6 gola dhe ka dhënë 2 asiste, pra një gol kontribut në çdo dy ndeshje. Të gjithë prisnin diçka më shumë nga spanjolli.
Kështu, martesa e tij me kuqezinjtë përfundoi me divorc pas vetëm 6 muajsh: spanjolli tashmë iu bashkua Galatasarayt.
“Jam shumë i lumtur që kam ardhur këtu. Po jetoj një përvojë që apriori mund të jetë ndryshe, por kam gjetur një vend të mrekullueshëm, një klub të jashtëzakonshëm dhe tifozë të pasionuar”, tha ai për prestigjiozen “Marca” kur u pyet për kalimin në Turqi.
Qëndrimin e shkurtër te Milani a argumentoi me ndryshimin e trajnerit çka siç thotë ai nuk solli efekt pozitiv për të.
“Shkova atje për Fonseca, i cili tregoi se më vlerësonte shumë. Megjithatë, pas disa muajsh ai u shkarkua dhe projekti i kuqezinjve ndryshoi : në fund nuk u ndjeva më i qetë në Milano sepse kisha zgjedhur Milanin për Fonseca”.
Megjithatë shton se dhe largimi nga Atletiko erdhi si pasojë e nevojës që ai kishte për ndryshim, ndërsa vlerësoi se në Spanjë dha maksimumin sidomos në Kampionatin Evropian.


