BSH: Institucionet mikrofinanciare ulën me 3 herë interesat për kreditë e vogla

Banka e Shqipërisë po ndërmerr hapa të rëndësishëm drejt një tregu financiar më transparent dhe më të drejtë për mbrojtjen e qytetarëve.

Jonida Teta Kacani, zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë informoi se Banka Qendrore ka miratuar ndryshime rregullative që kanë për qëllim uljen e mëtejshme të normës efektive maksimale të interesit për kreditë me këste në shuma të vogla dhe mbrojtjen e qytetarëve në marrëdhëniet e tyre me institucionet financiare jobanka (mikrofinanca).

Konkretisht shpjegoi ajo kemi rënie me 3 herë të normës së interesit të kredisë për huadhënien nga institucionet mikrofinanciare.

Në një intervistë për mediet, Kacani shpjegoi se, “më konkretisht ndryshimet synojnë kufizimin e tarifave të fshehura dhe uljen e mëtejshme të interesave dhe kostove të kredive konsumatore, uljen e vlerës së penaliteteve dhe rritjen e transparencës ndaj konsumatorëve që në fazën e reklamimit të produkteve e shërbimeve”.

Kacani tha se, “një ndryshim tjetër ka të bëjë me kërkesën për analizë të thelluar financiare të klientit, nga institucionet mikrofinanciare ku përcaktohet që kësti i kredisë të zërë jo më shumë se 60% të totalit të të ardhurave mujore që zotëron ai, duke ndihmuar kështu në një kredidhënie të shëndetshme”.

Gjithashtu, vijoi ajo, ndryshimet rregullative i detyrojnë institucionet mikrofinanciare të krijojnë një listë të zezë, për klientët me pamundësi paguese dhe për këtë kategori shihet mundësia e ristrukturimit të kredisë, sipas rregullores së brendshme të institucionit mikrofinanciar, duke i lehtësuar ata mbi bazën e aftësisë paguese dhe kur ata nuk e kanë mundësinë paguese ekzekutohen kushtet e kontratës.

Referuar statistikave, kredia me probleme në institucionet jobanka në fund të vitit 2024 shënoi nivelin 4,17% nga 4,74 % që ishte në vitin 2023.

Ajo foli edhe për modernizimin e sistemeve të pagesave dhe bankingun e hapur.

“Vitet e fundit Banka e Shqipërisë ka avancuar ndjeshëm në drejtim të modernizimit të sistemit të pagesave duke përfshirë dhe konceptin e bankingut të hapur. Bankingu i hapur mundëson një qasje më të lehtë për qytetarët në shërbimet financiare dixhitale si dhe rritje të konkurrencës dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve financiare”, u shpreh Kacani.