Konkurrenca nis hetimet ndaj “One” dhe “Vodafone”: Kompanitë mund të përbëjnë kufizim të konkurrencës në tregun shqiptar
Autoriteti i Konkurrencës njoftoi sot se ka hapur hetim paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare në vend.
Sipas këtij institucioni, Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e 29 Janarit, mori në shqyrtim raportin e Sekretariatit të Konkurrencës për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Nisur nga disa ankesa të paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi rritjen e çmimit të paketave me parapagesë nga ndërmarrja Vodafone Albania, si dhe të ankesave në vijim gjatë viti 2024 për ndërmarrjen One Albania SHA, Autoriteti i Konkurrencës në bazë të nenit 28 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, realizoi një monitorim në këtë treg, i cili konsistoi në vlerësimin e sjelljes së ndërmarrjes Vodafone Albania dhe One Albania.
Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit, u konstatua se sjellja e ndërmarrjes Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare mund të përbëjë kufizim të konkurrencës në kuptim të nenit nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Sipas këtij institucioni, tregu i telefonisë celulare ka qenë dhe mbetet një treg në fokus të veçantë të Autoritetit të Konkurrencës, me qëllim mbrojtjen e konkurrencës dhe të konsumatorit.
Në përfundim, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1156, datë 29.01.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania.
Ky hetim do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024.
Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka publikuar ende vendimin e plotë, me analizën dhe argumentimin e shkaqeve që çuan në hapjen e hetimit paraprak, por mund të thuhet se tarifat nuk kanë ndonjë diferencë mes dy kompanive, ç'ka ngre dyshime për një marrëveshje, apo dakordësi mes tyre.
Në vite nuk janë të pakta rastet kur abonentët ngarkohen me tarifa të larta, jo vetëm të panjoftuara më parë, por edhe të paargumentuara. Në shumicën e ankesave që i drejtohen kompanive, abonentet nuk gjejnë zgjidhje.


