Nga qiradhënia tek shërbimet, aktivitetet që do paguajnë tatim në burim

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, duke filluar nga 1 janari 2025, ndryshon deklarata e Tatimit të Mbajtur në Burim dhe të Ardhurave të tjera.

Ministri i Financave Petrit Malaj ka miratuar edhe udhëzimin për zbatimin e ligjit, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Deklarata e re në krahasim me të mëparshmen ka disa ndryshime, por llojet e të ardhurave për të cilat mbahet Tatimi në Burim nuk ndryshojnë, ndërkohë që deklarimi i të dhënave është analitik dhe i detajuar.

Të ardhurat dhe pagesat objekt i mbajtjes së tatimit në burim janë dividentët; interesat; honoraret; të ardhurat nga lojërat e fatit; të ardhurat nga qiradhënia vetëm kur i paguhen individit; pagesat e shërbimeve, përveç shërbimeve të marra fizikisht jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; shërbimet e sigurimit; tarifat për pjesëmarrjen në bordet drejtuese dhe këshillat ose trupa drejtues të tjerë; pagesat për ndërtime, instalime, montime ose punë mbikëqyrëse të lidhura me to; pagesat për performancën e aktorëve, muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla të bëra për personat që punësojnë artistë ose sportistë ose që veprojnë si ndërmjetës në organizimin e shfaqjeve apo performancave.

Nuk janë subjekt i mbajtjes së tatimit në burim: të ardhurat e paguara personave të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat; dividendët sipas kushteve të përcaktuara në nenin 29 të këtij ligji; të ardhurat nga fitimi kapital, si dhe të ardhurat nga interesat nga emetimi i eurobondit prej Republikës së Shqipërisë, të paguara entiteteve jorezidente, pa një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë; si dhe të ardhurat nga interesat që u paguhen bankave dhe institucioneve të tjera financiare.

Norma e mbajtjes së tatimit në burim mbi dividendët është 8%. Norma e tatimit të mbajtur në burim mbi të ardhurat dhe pagesat është 15%.

Afati i deklarimit dhe pagesës së Tatimit të mbajtur në Burim dhe të ardhurave të tjera mbetet i pandryshuar dhe është çdo datë 20 të muajit pasardhës të periudhës që po deklarohet.