Kursi i këmbimit nuk do ndryshojë! BSH: Treg, i stabilizuar! Bankat dhanë më shumë kredi për biznese e apartamente
Tregu i kursit të këmbimit nuk pritet të ketë tronditje të forta përgjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë parashikon dhe një situatë normale me inflacionit. Ndërkaq nga analiza vjetore shënohet se në vitin e shkuar kishte rritje të fortë të kredive për biznes dhe apartamente
Përgjatë vitit 2025 Banka e Shqipërisë nuk pret që të ketë tronditje të forta të kursit të këmbimit.
Mësohet se nga analizat e zhvilluara rezulton se monedhat e huaja do të ruajnë të njëjtin nivel kundrejt lekut.
Nga ana tjetër sa i përket ccmimeve, pritet që politikat e presidentit të SHBA të shtrijnë ndikimet në të gjitha ekonomitë e si pasojë edhe në Shqipëri.
Banka e Shqipërisë ndërkaq, ka publikuar raportin e politikës monetare ku rezulton se bankat vijuan të japin kredi me një rritje të ndjeshme në 3 mujorin e fundit, veçanërisht në sektorin e investimeve dhe blerjes së banesave.
Sipas të dhënave më të fundit, kredia për investime e bizneseve është zgjeruar me 22.2%, ndërsa huaja për blerje banesash nga individët është rritur me 18%.
Gjithashtu bëhet e ditur se interesat për dhënien e huave kanë vijuar të bien. Një situatë e tillë vihet re edhe në sigurimin e letrave me vlerë apo dhe të lëvizjeve bankare.
Në treg vazhdojnë të mbizotërojnë prime të ulëta të rrezikut të likuiditetit e të kreditit, manifestuar kjo në diferenca të vogla të Yield-eve dhe të interesave të tjera ndaj normës bazë dhe mes njëri-tjetrit, thuhet në dokument.
Ndryshe nga kreditimi, depozitat e bizneseve kanë shënuar ngadalësim të fortë nga 14 % qe ishin në pjesën e parë të vitit në 6%.
Sa i takon rritjes ekonomike Banka e Shqipërisë parashikon një rritje prej 4% e mbështetur nga turizmi dhe zgjerimi i konsumit.


