Selimi përfundon dëshminë: Procedurat hetimore ndaj meje kanë pushuar

Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sylejman Selimi ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë. Për katër ditë, në gjykatë ai u është përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, avokatëve mbrojtës dhe trupit gjykues, rreth Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Të enjten, Selimi tha se komandanti legjendar, Adem Jashari, ka qenë figura kryesore emblematike e UÇK-së. Ai pohoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur kompetencë për ndalimin apo mbajtjen e personave.

Lidhur me ketë, Selimi është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, si dhe mbrojtjes së Kadri Veselit, Dixon.

Selimi: Sa i përket zonës, zona i ka pasur kompetencat në zonën operative te Drenicës, kurse sa i përket arrestimit, Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka pasur këtë kompetencë, ose ndalimin e tyre, asnjëherë nuk është mbajtur një takim që këta me u arrestu.

Dixon: A mund të konfirmoj që ju nuk keni pasur asnjë rregullore nga Shtabi i Përgjithshëm apo nga ndonjë burim tjetër, lidhur me mënyrën se si te ndaloheshin personat, kush ishte përgjegjës, çfarë roli kishte policia ushtarake, apo i palëve të tjera ne këtë proces, a është e saktë kjo?

Selimi: Po.

Dixon: Pra ju nuk keni pasur asgjë me shkrim apo me gojë nga Shtabi i Përgjithshëm, lidhur me ketë temë, a është e saktë kjo?

Selimi: E saktë.

Gjatë dëshmisë, Selimi është ndalur më gjatë te Shtabi i Përgjithshëm duke thënë i njëjti ishte pothuajse inekzistent, “një shtab më shumë politik e logjistik sesa operacional”.

“Ne po flasim për një shtab pothuajse inekzistent, një shtab më shumë politik ose një pjesë edhe logjistik, sesa një shtab operacional me anëtarë të cilët janë të përhershëm ose me anëtarë të cilët e kanë një adresë ose një shtab që e ka një strukturë, një sallë operative, disa oficerë që e menaxhojnë situatën në luftë. Ne fatkeqësisht këtë nuk e kemi pasur, as nuk e kam parë asnjëherë të organizuar në nivel të tillë dhe kjo ka bërë që shumë komandantë të zonave në teren t’i marrin vendimet vet, të shohin situatën vet, të përgjigjen vetë”, tha Selimi.

Në fund të dëshmisë së tij, Selimi tha se Adem Jashari ka qenë figura kryesore e UÇK-së.

“Nuk ka marr urdhra nga shtabi i përgjithshëm por ka dhenë urdhra ose është konsultuar me shtabin e përgjithshëm, me njerëz të cilët i ka njohur. Adem Jashari nuk ka mundur të marrë urdhra nga dikush tjetër, Adem Jashari ka qenë komandant kryesor, pa Adem Jasharin nuk mund të kishte UÇK. Adem Jashari ka qenë figura kryesore emblematike e UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm është në bashkëpunim me Ademin dhe gjithë të tjerët, por figura kryesore është Adem Jashari”, tha ai.

Mënyrën e marrjes në pyetje nga ana e trupit gjykues e kritikoi avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, sipas së cilit, pyetjet nuk janë sqaruese dhe të paanshme.

Megjithatë, kryetari i turpit gjykues tha se do të vazhdojnë marrjen në pyetje.

Pas intervistimit nga turpi gjykues dhe pyetjeve shtesë nga avokatët mbrojtës, Selimi e përfundoi dëshminë e tij në Hagë.

“Gjatë procedurës pranë Dhomave të Specializuara, kam pasur edhe statusin e personit të dyshuar. Me këtë rast, dëshiroj të informoj publikun se të gjitha procedurat hetimore ndaj meje kanë pushuar”, tha Selimi në një deklaratë për media.

Selimi e ka nisur dëshminë të hënën, si dëshmitar me kodin 04290 dhe atij i është dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij.Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka nisur në prill të vitit 2023 ndërkaq, ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit prej nëntorit të vitit 2020.Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës.

Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.