Berisha: Erion Veliajt iu gjetën 100 mijë euro prerje 500-she të mykura, të gjitha lekë trafikantësh

Kryedemokrati Sali Berisha mblodhi këtë pasdite Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se Presidenti i ri amerikan Donald Trump renditi armikun e brendshëm si më të rrezikshëm dhe ky armik personifikohet me një monstër si Xhorxh Sorosi.

Berisha theksoi se gardëroba e gruas së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxa mjaftojnë për të shtruar qilima në Tiranë

Erion Veliajt, tha Berisha, iu gjetën 100 mijë euro prerje 500-she  të mykura, të gjitha lekë trafikantësh

FJALA E BERISHËS

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta, ju anëtareve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD. Një përshëndetje shumë të përzemërt, të gjithë anëtareve dhe anëtarëve të PD, mbështetësve të saj kudo që janë, në Shqipëri dhe botë.

Ne mblidhemi sot në një kohë kur sytë, mendja dhe shpirti i shqiptarëve dhe jo vetëm i shqiptarëve, të gjithë miqve dhe partnerëve tanë, janë të drejtuar nga PD dhe fitorja e saj në zgjedhjet e 11 Majit.

Inaugurimi i Presidentit Donald Trump me 20 janar, fitorja e tij me 5 nëntor 2024, shënojnë rikthimin më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në tërë historinë e njerëzimit, në kuptimin e rikthimit me votën e lirë.

Ky rikthim u përball me një armiqësi të egër, të ekstremit të majtë marksist dhe postmarksist në SHBA, në shumë e shumë vende të botës, përfshi dhe Shqipërinë. Ky rikthim u përball me makinerinë më gjigante, manipulimit, mashtrimit të medieve më të mëdha dhe kompanive të polleve më të mëdha në botë.

Në kushtet e një mrekullie historike, Presidenti Donald Trump, ekipi i tij arriti të bëjë për vete mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Amerikës.

Në fushatën e tij, një nga deklaratat më kryesore ishte se, për SHBA-të armiku më i rrezikshëm është armiku i brendshëm. Ai komandant i Ushtrisë më të fuqishme të botës, i vendit udhëheqës të botës së lirë, në hierarkinë e rreziqeve për vendin e tij, renditi armikun e brendshëm i cili ishte ekstremi i majtë, marksist post marksist i personofikuar mbi të gjitha me një monstër siç është Xhorxh Sorosi dhe sorosianët e tjerë.

Në këtë kontekst, presidenti e tha vetë dhe mijëra të tjerë e kanë përsëritur, se Zoti e shpëtoi atë që ai të shpëtojë Amerikën dhe botën nga ky rrezik i paimagjinueshëm.

Ky rrezik që u lëshua me një agresion të papërmbajtur kundër familjes, kundër sipas dogmnës së Marksit për një botë pa kufi, por tashmë dhe pa gjini. Një agresion i paparë në histori ndaj identitetit gjinor të racës njerëzore.

Me një shpejtësi dhe vendosmëri absolute, duke patur parasysh pasojat e mëdha planetare të agresionit të ekstremit të majtë, marksist dhe postmarksist ai, po ndërmerr çdo ditë dekrete dhe vendime që synojnë ti japin përgjigjen më të shpejtë më të merituar të këtij armiku të egër të lirisë.

Mos harroni se, ju që jeni 30 apo 40 vjeçar, nuk kishit dëgjuat ndonjëherë të elaudohej censura, të thirrej censura siç ndodhi me ekstremistë e majtë të quajtur progresistë apo liberal në SHBA dhe vende të tjera.

Në mënyrë të pabesueshme u krijuan komisionet, zyrat e censurës. Histori ndër më të turpshmet. Dhe majmuni socialist në Shqipëri, ishte i dyti në botë që i krijoi.

Pasi firmosi protokollin me famëziun Antony Blinken i cili erdhi në Shqipëri në një vizitë blic për të firmosur protokollin e censurës, me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë dhe nuk takoi asnjë opozitar, për të dëshmuar se ai ishte për një Shqipëri pa opozitë siç e donte Sorosi dhe Rama dhe takoi Altin Dumanin si shpërblim sepse ai kishte persekutuar Sali Berishën. E falënderoi për punën që kishte bërë.

Por ky person ishte një gënjeshtar, një kryegënjeshtar, një kryemanipulator i shpifur i cili kishte sajuar letrën e famshme që është një nga dokumentet më të zeza në historinë e SHBA-së, e firmosur nga 51 zyrtarë më të lartë të atij vendi, me të cilin mashtronin kombin amerikan dhe botën se laptopi i Hunter Biden, ku gjendeshin aferat më të turpshmet, ishte një laptop i stisur nga rusët dhe se Hunter nuk kishte prekur kurrë në jetën e tij, laptop me dorë.

Për të gjitha këto presidenti Trump e shpalli atë ‘non grata’ për të gjitha zyrat federale në SHBA. Ai nuk ka të drejtë dhe nuk mund të futet në asnjë zyrë shtetërore dhe federative në vendin e tij dhe uroj që drejtësia në Amerikë, të thotë fjalën e saj ndaj këtij manipulatori të turpshëm që mashtroi kombin e vet dhe botën.

Por nëqoftëse ka një vend në botë, se ne nuk na ndahen këto kopshtet, që mund të quhet kopshti i lulëzuar i Soros, ishte Shqipëria e Edi Ramës, e Erion Veliajt, vend në të cilin u sulmuan në mënyrë më të egër, aprincipiale opozita konservatore për zhdukjen e saj, vend në të cilin u zbatua politika e qëndrimit ndaj drogës dhe krimit dhe Shqipëria u shndërrua në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, vend në të cilin drejtësia u shndërrua në një armë politike të ekzekutivit

Në kopshte dhe shkolla nisi beteja kundër familjes, emërtimi i prindërve në prindi 1 dhe 2. Propaganda e turpshme vulgare me fëmijët që i nxisnin drejt mohimit dhe ndryshimit të gjinisë në shkolla, të gjitha këto e bënë  mjedisin shoqeror dhe Shqipërinë një vend të përçudnuar.

U godit opozita sepse qeveria e mbështetur nga Soros, ky korruptor planetar që mbjell korrupsion kudo në Shqipëri dhe botë, duhet që pasuritë kombëtare të shqiptarëve të vidheshin nga sorosianët e tij në pushtet dhe zërat që ngriheshin kundër korrupsionit të shuheshin.

Të dashur miq, për të gjitha këto, siç e dëgjuat dhe ju dje, nga njëri prej arkitektëve kryesorë të fushatës elektorale dhe fitores së Donald Trump, z. Cristofer LaCivita, Edi Rama është, vlerësohet, cilësohet si kukulla e Xhorxh Sorosit, e armikut numër 1 publik të SHBA-së.

Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan Cris LaCivita i bëri të qartë shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se Edi Rama si kukull e Soros, vetëkuptohet duhet të ketë fatin e tij dhe se SHBA-të, kanë partner dhe aleat Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.

Ky është një zhvillim, një ogur i bardhë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse një opozitë tjetër sorosiane do ta kishte vidhisur Shqipërinë në honet e historinë, por ju qëndruat, ne qëndruam për ato vlera që qëndron një njeri i lirë. Nuk u mposhtëm, nuk u përkulëm dhe në fund kjo betejë u fitua në SHBA dhe do të fitohet edhe në Shqipëri.

Ju jeni dëshmitarë që pas deklaratave të kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan Cris LaCivita, në zyrat e padrinos së Shqipërisë, El Chapos apo Toto Rinës, ka rënë tërmet.

Skena e shkallmimit që patë dje në mëngjes, është përsëritur disa herë gjatë ditës. Kjo është e vërteta.

Pardje prokuroria speciale arrestoi një nga hajdutët me të këqijn, një person që për ligësitë e tij ka patur kufi vetëm Edi Ramën, Erion Veliajn.

Përpëlitjet e Ramës nga dje gjer sot për të mbajtur rreth vetes anëtarë të organizatës kriminale dhe të tjerë, kanë të bëjnë para së gjithash dhe mbi të gjitha me mesazhet që u dhanë në Rogner. Ai është kukull e Soros.

Ato mesazhe e detyrojnë atë të betohet për pastërtinë e Velicës, e cila të dashur qytetarë dhe qytetare, ka abuzuar dhe shpërdoruar, vjedhur në atë mënyre më paratë tuaja, saqë bazohet sipas medieve ndërkombëtare, vetëm me bashkëshorten e Asadit. Vetëm asaj ju numëruan dhe rezultoi me 1 mln euro garderobë.

Asadi kur iku në Rusi, ajo mori dhe garderobën dhe i rezultoi 1 mln euro. Ndërkohë që Velicës, për të cilën Edi Rama ka nga mëngjesi në darkë që betohet për pastërtinë, ndershmërinë e saj, i numërohen 867 mijë euro, fatura blerje online. Blerje online që kanë një çmim më të shtrenjtë se dyqanet.

Të gjitha të dorëzuara në doganë, me fatura doganash. Shikoni ku i zhyt ky rilindësit e tjerë. Në mbrojtje të një akti të paimagjinueshëm.