Banka Shtetërore e Zhvillimit, Ibrahimaj konsultim me grupet e interesit

Qeveria prezantoi së fundmi projektligjin për ngritjen e Bankës Shtetërore të Zhvillimit, e ngjashme me bankat apo institucionet kombëtare promovuese që funksionojnë në Bashkimin Evropian, me synim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, përmes lehtësimit të qasjes në financë të sektorëve të nënfinancuar të ekonomisë.

Mbështetja do të jetë kryesisht në drejtim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfshirë mikrondërmarrjet dhe startap-et si edhe projekteve zhvillimore që lidhen me përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilloi sot një takim me përfaqësues të institucioneve financiare kombëtare dhe ndërkombëtare në Shqipëri, duke marrë rekomandime të vlefshme nga ekspertiza e tyre për të përmirësuar mënyrën e funksionimit të kësaj banke.

Ministrja theksoi se transformimi ekonomik i vendit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon instrumente financiare të konsoliduara.

“Banka e Zhvillimit, që po krijojmë me nismën e qeverisë sonë, do të jetë një mekanizëm kyç për të mbështetur sektorët strategjikë të sipërmarrjes”, u shpreh ajo.

Arsyetimi kryesor ekonomik për ekzistencën e një institucioni të tillë bazohet në faktin se operimi nën potencial apo dështimet e tregut mund të çojnë në mungesë financimi dhe investimesh që, si rezultat, sjellin një rritje më të ngadaltë sesa ajo që do të ishte ekonomikisht e dobishme apo e synuar.

Këto institucione ndërhyjnë në ato segmente që mbeten të nënfinancuara apo të nënshërbyera, duke synuar një qasje plotësuese ndaj financimeve që ofrohen nga operatorët tregtarë financiarë.

Në projektligjin e dalë për konsultim publik thuhet se veprimtaria e tyre ushtrohet në përputhje me legjislacionin për ndihmën shtetërore dhe pa shkaktuar ndikim të padrejtë në konkurrencë.

Veprimtaria e Bankës së Zhvillimit do të fokusohet në fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, startap-eve, promovimin e eksporteve, mbështetjen e projekteve publike në nivel qendror dhe vendor me rëndësi për zhvillimin ekonomik, apo dhe zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale.