Tifozët e City-t u tallën me Vini Jr, sulmuesi i Real Madrid: Më motivuan më shumë, bëra një lojë të shkëlqyer

Vinicius, MVP i mbrëmjes në fitoren me Manchester City-n, foli pas ndeshjes për Movistar. E bëri me një buzëqeshje të madhe, pasi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer dhe u shfaq në një stadium ku nuk e pritën me lule.

Në ‘Etihad’ ende nuk e kanë harruar faktin që ai nuk mori pjesë në ceremoninë e Topit të Artë, ku u vlerësua Rodri, dhe e pritën me një pankartë gjigante ku shkruhej: "Mjaft më me qarje". Ky mesazh e motivoi brazilianin:

"E pashë, e pashë pankartën, por sa herë që tifozët kundërshtarë bëjnë diçka të tillë, më japin më shumë forcë për të zhvilluar një ndeshje të madhe dhe këtë herë e bëra.

Ata e dinë historinë tonë, gjithçka që kemi bërë në këtë kompeticion. Është hera e pestë që vijmë këtu, gjithmonë bën shumë ftohtë, por këtë herë fituam dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë."

Vinicius ishte vërtet i lumtur që e gjeti përsëri formën e tij më të mirë:

"Nuk ishte keq, bëra një ndeshje të shkëlqyer, mbrojtëm shumë mirë dhe nuk ka rëndësi kush shënon apo kush është MVP. Jemi këtu për të bërë gjëra të mëdha për këtë fanellë dhe për ta vendosur Real Madridin në majën më të lartë."

Ai gjithashtu bëri shaka për golin e Mbappésë me pjesën e poshtme të këmbës:

"E rëndësishme ishte të fitonim, nuk ka rëndësi si. Në aksionin e fundit, tentova të godisja, por topi shkoi te Jude."

Megjithatë, Vini nuk e sheh kualifikimin si të sigurt:

"Ka ende shumë lojë në ndeshjen e kthimit, duhet të mbrohemi si sot dhe të kemi tifozët me ne për të krijuar një natë magjike."

Kartonët... dhe e ardhmja e tij

Pas analizës së ndeshjes, Vinicius foli edhe për dy tema të debatueshme: kartonët dhe të ardhmen e tij. Për kartonët, ai ishte i qartë:

"Ndonjëherë është e vështirë, gjyqtarët nuk mbrojnë lojtarin që merr goditjet. Kur më godasin, kartonin e verdhë e marr unë. Por shokët e skuadrës dhe trajnerët më ndihmojnë të qëndroj i përqendruar. Nuk jam shenjt, por dua të fitoj me çdo kusht."

Sa i përket rinovimit të kontratës dhe ofertave nga Arabia Saudite, ai u shpreh:

"As unë nuk di asgjë, askush nuk ka folur me mua. Duhet të flas me presidentin dhe shpresoj të vazhdoj këtu për shumë kohë. Ky kompeticion na jep diçka më shumë dhe dua të bëj histori.

Dëshira ime është të qëndroj më gjatë dhe, nëse Zoti do, në ditët në vijim gjithçka do të zgjidhet për të kaluar edhe më shumë kohë këtu."