''150 mijë dosje në sirtar'', Xhixho: Provë që Reforma në Drejtësi ka dështuar

Zv.Presidentja e PL-së, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat u shpreh se plot 150 mijë dosje presin të shqyrtohen në gjykatat e vendit, duke mbajtur pezull me mijëra qytetarë që më kot presin drejtësi për çështjet e tyre.

Deklarata e zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, znj. Erisa Xhixho.

Të nderuar qytetarë,

Në gjykatat e vendit, stoku i dosjeve ka thyer çdo rekord. Plot 150 mijë dosje presin të shqyrtohen në gjykatat e vendit, duke mbajtur pezull me mijëra qytetarë që më kot presin drejtësi për çështjet e tyre.

Ky stok i paprecedent provon edhe njëherë se reforma në drejtësi ka dështuar në qëllimin për të cilin nisi në korrik të 2016-s.

Qëllimi kryesor i reformës ishte të garantohej drejtësi brenda një afati të arsyeshëm, cilësor dhe të shpejtë për qytetarët. Fatkeqësisht, reforma ka ngecur në atë vit që mori udhë, sepse sot pas 9 vitesh, gjykatat janë ende te çështjet e vitit 2016.

Një qytetari që kërkon të drejtën e tij në gjykatë i duhet të presë katërfishin e kohës që priste para implementimit të reformës.

Rreth 80% e çështjeve gjyqësore janë përtej afateve të procesit të rregullt ligjor. Një gjyqtar ka 800-1000 dosje në gjykatën civile të shkallës së parë.

Gjyqësori shqiptar nuk ofron dot shërbimin e drejtësisë për 90% të qytetarëve të vet.
● Në gjykatat e shkallës së parë për të marrë drejtësi, një qytetari i duhen të paktën 2 vite
●Në Apelin e juridiksionit të zakonshëm i duhen 5-7 vite
●Në Gjykatën e Lartë duhen 8-9 vite.

Një çështje i duhen nga 12 deri në 15 vjet për të kaluar të tre shkallët. Pjesa dërrmuese e çështjeve të mbetura stok nëpër gjykata janë çështje civile, halle dhe probleme njerëzish që presin zgjidhje e që në këtë pritje të gjatë, shumë mund të ikin nga kjo botë pa e marrë atë zgjidhje.

Qindra pensionistë ndërrojnë jetë në pritje për të marrë drejtësi, qindra të tjerë, nëse çështja u kthehet për rishqyrtim, drejtësinë duhet t’ua lënë amanet fëmijëve.

Harta e re gjyqësore i dha goditjen përfundimtare reformës në drejtësi duke e çuar në kolaps sistemin.

Qytetarët e kanë kuptuar se kjo nuk ishte reformë në drejtësi, por reformë për të kapur drejtësinë. Ata që përballen përditë me zvarritjen dhe indiferencën nëpër gjykata e kanë humbur shpresën.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar.

Drejtësia duhet te kthehet në shinat ligjorë dhe kushtetues që qytetarët të marrin drejtësi të shpejtë, të pavarur dhe profesionale.