Binaj: Aksioni ndaj informalitetit të pagave vazhdon edhe në 2025, fokusi në 2 sektorë

Aksioni antiinfomalitet dhe përmirësimi i shërbimeve për tatimpaguesit janë dy nga prioritetet kryesore të administratës tatimore për vitin 2025.

Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj foli në një intervistë për Scan TV mbi prioritetet e Administratës Tatimore përgjatë vitit 2025.

Binaj u shpreh se, administrata tatimore ka objektiv rritjen e cilësisë së shërbimeve tatimore dhe shtimin e shërbimeve të reja elektronike për Tatimpaguesit, si dhe aksioni kundër informalitetit të pagave, me në fokus deklarimin e pagave reale dhe rritjen e pagesës së kontributeve për pensione të merituara.

Ai theksoi se, “administrata tatimore ka 2 prioritete kryesore. Priroiteti i parë është rritja e cilësisë shërbimeve ndaj tatimpaguesve. Kjo është mjaft e rëndësishme për ne për faktin se një shërbim i mirë do të nënkuptonte një përputhshmëri fiskal më të mirë nga tatimpaguesit, do e kuptonin më drejtë legjislacion fiskal dhe në këtë mënyrë do të kishim një rritje të deklarimeve më të sakta dhe pagesa më të larta në lidhje me tatime të ndryshme”.

Ndërsa shtoi ai, “prioriteti tjetër është informaliteti i pagave. Aksioni kundër informalitetit të pagave do të vazhdojë edhe gjatë 2025-ës. Kjo në lidhje me objektivin për të parë dhe për të rritur skemën e pensioneve. Akoma ka një problematikë në lidhje me pagat, të cilat nuk deklarohen aq sa janë, por ka një nëndeklarim të pagave. Aksioni që ne bëmë pati disa rezultate, por akoma ka shumë punë për të bërë në këtë sektor”.

Sipas Binaj, aksioni do të ketë në fokus dy sektorë kryesore, ku është vënë re që problematika është më e lartë.

“Aksioni ndaj informalitetit të pagave do të vazhdojë edhe gjatë 2025 në funksion të rritjes së pensioneve. Përgjithësisht do fokusohemi në sektorë që kanë pasur dhe rritjen më të madhe në tre muajt e fundit, që është ndërtimi dhe turizmi.

Pra do ketë plane sektoriale me të detajuara në këto sektorë për të patur një reagim më të mire dhe më të fortë për pagat pasi dihet qe pagat e punonjësve në këtë sektor janë shumë më të larta nga ato që ata realisht deklarojnë në sistem”, shprehet Binaj.