Rroji: Kosova të bëjë kujdes, deklaratat e Grenell shumë serioze. Nëse do ketë shkëmbim territoresh, atëherë të ketë shkëmbim popullsish. Paria e Tiranës, rol negativ

Pedagogu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Grid Rroji, në një lidhje me skype në studion e lajmeve në “Ora News”, teksa komentoi rrotacionin e pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpreh se me ardhjen e Administratës “Trump” asgjë nuk do të mndryshojë sa i përket qëndrimeve diplomatike në marrëdhëniet me vendet e tjera të botës.

“Me projektin Riviera e Lindjes së Mesme, synohet që nga një vend me probleme dhe konflikte të mëdha siç është Gaza në një projekt ku mund të përfitojnë të gjithë.

Me këtë projekt ajo çfarë ka propozuar në tryezë presidenti Trump dhe që nuk kanë qenë më parë është ndryshimi i kufijve dhe ndryshimi i popullsisë. Gjithsesi duhet parë nëse ky projekt është afatgjatë.

Ajo që ka pasur koherencë në politikën e Donald Trump që nga viti 2014 është që ta shndërrojë politikën amerikane, të brendshme dhe të jashtme në një politikë nacionaliste, dhe në momentin që i ka pasur mundësitë e ka bërë dhe po e bën këtë.

Sa i përket politikës së jashtme asgjë nuk ka ndryshuar, dhe interesat amerikane nuk kanë ndryshuar nga ato të administratës së kaluar”, u shpreh Rroji.

PO ashtu, Rroji analizoi dhe situatën e re të krijuar mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Hapësira shqiptare apo Kosova si strumbullari i zgjidhjes së çështjes shqiptare. Komenti i Richard Grenell ishte mjaft serioz dhe duhet trajtuar me kujdes.

Për shkak se Kosova ka një sovranitet të kufizuar, deklarata e z. Grenell përfaqëson sot qëndrimin e ri të SHBA-së dhe politika kosovare duhet ta analizojnë me shumë kujdes.

Z. Kurti ka bërë disa shtyrje në kohë të zgjidhjes së çështjeve me Serbinë, por për faktin se sot ka një gjyq në Hagë ndaj ish-krerërve të UÇK-së ai duhet të jetë më i shpejtë në zgjidhje.

Unë do të sugjerojë se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të së dielës, Kosova të dalë me një qeveri të unitetit kombëtar për të gjetur dhe dalë me një zgjidhje përfundimtare për çështjet e mbartura.

Nuk ka asnjë arsye që administrata Trump të mos i rifillojë diskutimet mbi bazën e atyre që u propozuan nga administrata e mëparshme Biden.

Shkëmbimit të territoreve, nëse është i pashmangshëm, duhet t’i bashkëngjitet shkëmbimi i popullsive.

Paria e Tiranës ka qenë shumë negative në ndërhyrjen e saj në raport me Kosovën dhe për shqiptarët në trevat e tjera, por për sa kohë qëndrojnë në pushtet duhet respektuar vendimi i popullit”, theksoi ndër të tjera pedagogu Grid Rroji.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME PEDAGOGUN E MARRËDHËNIEVE NDËRKOMBËTARE GRID RROJI