Ambasadori Hüseynov në takim me Çelën: Shqipëria të jetë destinacioni i ri për turistët nga Azerbajxhani

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela dhe ambasadori i Azerbajxhanit, Anar Hüseynov zhvilluan sot një takim me fokus shkëmbimin e ideve dhe perspektivave për turizmin dhe promovimin e tij.

Sipas njoftimit të AKT-së, ambasadori shprehu vlerësimin e tij mbi perspektivën që ka Shqipëria për turizmin dhe për punën e realizuar për promovimin e tij. Po ashtu, Ambasadori Hüseynov theksoi suksesin e arritur për prezantimin së shpejti të Shqipërisë si vend i nderit në Panairin e ITB Berlin, më i madhi në botë.

Referuar bashkëpunimit në ndërlidhjen turistike midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, ambasadori Hüseynov u shpreh se “dëshirojmë që Shqipëria të jetë destinacioni i ri për turistët nga Azerbajxhani. Po ashtu, vizitorët shqiptarë mund njihen më mirë me mundësitë që ofron Azerbajxhani”.

Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, bëri një pasqyrë të punës, angazhimit dhe rolit që ka Agjencia Kombëtare e Turizmit në promovimin e imazhit të Shqipërisë turistike. Gjatë bisedës u ndanë propozime konkrete mbi mundësitë e shumta për shkëmbime dhe zhvillimin e turizmit në të dyja vendet.