Premtimet e opozitës për pensionet, Rama: E hedhin symbyllur vendin drejt humnerës
Kryeministri Edi Rama tërhoqi sot vëmendjen mbi kujdesin që duhet të bëhet me reformën e pensioneve, ndërsa theksoi se premtimet e atyre që nuk kanë gjë në dorë, luftojnë faktet dhe e hedhin vendin symbyllur drejt një humnere.
Gjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, Rama u ndal te premtimet e opozitës për rritjen e pensioneve.
“Duke pasur parasysh edhe faktin që jemi afër zgjedhjeve, të gjithë ata që nuk kanë asnjë gjë në dorë, premtojnë gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme.
Mirëpo, të premtosh diçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme për pensionet do të thotë t’i hapësh luftë fakteve,” tha Rama.
Sipas tij, “nëse i kthesh kurrizin ekspertëve, ekspertizës dhe eksperiencës, hidhesh symbyllur drejt një humnere”.
“Do të thotë që, hajde të bëjmë një ditë festë me gjithçka kemi dhe pastaj nesër le të bëhet qameti.
Ne nuk mund ta bëjmë dot këtë. Për këtë arsye do të ecim paralelisht, nga njëra anë me bonuset të cilat janë rritur në mënyrë të ndjeshme, janë rritur në aspektin sasior, janë rritur dhe në aspektin e kohës së dhënies së tyre.
Pra, nga një bonus të fundvitit ne kemi kaluar në dy bonuse, një në fundvit dhe një në pranverë, dhe i kemi lidhur këto bonuse me rritjen ekonomike dhe performancën e ekonomisë,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se qeveria dëshiron që këto bonuse të vazhdojnë dhe pensionistët të marrin pjesë në shpërndarjen e fryteve të rritjes ekonomike.
Ndërkohë, tha Rama, “paralelisht po bëhet rindërhyrje në sistemin e pensioneve, pasi duam që të bëjmë një akselerim pa prishur në asnjë mënyrë themelet që ka sistemi”.
