Rama-shqiptarëve në Nju-Jork: Regjistrohuni për të votuar në 11 maj, afati skadon në 4 mars

Kryeministri Edi Rama u ka bërë sot thirrje shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Nju-Jork, SHBA, që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Përmes një videokartoline të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u kujton bashkatdhetarëve shqiptarë që të regjistrohen në platformën elektronike të KQZ-së, teksa sqaron se afati përfundimtar i regjistrimit është 4 marsi.

“Me këtë videokartolinë për shqiptarët e Amerikës, të cilëve bashkë me përqafimet u përcjell edhe rikujtesën se afati i regjistrimit për të votuar më 11 maj, skadon në 4 mars,” shkruan Rama.

Në videokartolinën e ndarë nga kryeministri Rama është thirrja për shqiptarët jashtë që zëri i tyre të dëgjohet përmes votës, pasi vota është ndihma më e madhe që mund t’i jepet vendit.

“Erdha larg me një valixhe plot ëndrra dhe me një zemër që nuk u nda kurrë nga Shqipëria.

Çdo ditë pune është e gjatë. Dhe çdo kursim është i mbledhur me mund e sakrificë.

Unë po investojë gjithçka që kam, sepse Shqipëria është e imja dhe besoj tek ai vend. Por, a e di? Ka diçka më të çmuar se çdo kursim.

Diçka që mund të ndihmojë jo vetëm të sotmen, por edhe të ardhmen. Është vota ime,” thuhet në videokartolinën që ndau sot kryeministri.