Bungo para Komisionit të Medias: Aurora Polo nuk plotëson kriteret, nuk duhej të ishte zgjedhur as zv.drejtoreshë! K*nceri i RTSH, mungesa e transparencës

Ditën e sotme është duke u zhvilluar në Komisionin e Medias seancë dëgjimore me anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH në lidhje me procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm të RTSH.

Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Leka Bungo, gjatë fjalës së tij e ka konsideruar si të paligjshëm procesin e mbajtur deri tani, pasi sipas tij, Aurora Polo së bashku me një kandidat tjetër nuk plotësojnë as kriteret kryesore.

Po ashtu Bungo e ka konsideruar si të paligjshme edhe emërimin e Aurora Polos në postin e nëndrejtoreshës së RTSH-së nga ish-drejtori Alfred Peza. Ai tha më tej se kanceri i RTSH-së është mungesa e transparencës dhe sipas tij, kjo është e qëllimshme për të mbajtur të mbuluar bëmat e disa prej ish-drejtuesve të atij institucioni.

Leka Bungo deklaroi se janë 18 vendime nga Këshilli Drejtues të cilat nuk janë zbatuar nga drejtoria e pergjithshme e RTSH-së.

Bungo: "Lidhur me garën për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm, pas dorëheqjes së Alfred Pezës, unë kam për të treguar një histori që e kam të dokumentuar një për një me vendimet e këshillit drejtues dhe me diskutimet e gjithë procesverbalet e mbledhjeve. Mendoj se paligjshmëria në procesin zgjedhor për drejtorin e ri, është koshiente sepse nga të gjitha dokumentacionet që kam unë, të gjithë anëtarët e këshillit drejtues e njohin mirë, se zgjedhja e një kandidature, si konkretisht Aurora Polo që u fut në garë së bashku me një tjetër, nuk plotëson kriterin  kryesor për zgjedhjen e drejtorit të ri.

Por kjo ka një kanal të hershëm. Kjo paligjshmëri ka filluar shumë përpara me të njëjtin personazh siç është Aurora Polo, e cila e propozuar nga Peza për zv drejtoreshë, për arsye të kundërshtuara të të njëjtit ligj,  zv.drejtoreshë e përgjithshme. Unë e kam refuzuar, e kam deklaruar, megjithatë me shumicë votash u zgjodh.

Ligji, e cili e pengonte zgjedhjen e saj, është i njëjti ligj që vijon ta pengojë në zgjedhje  drejtoreshës së përgjithshme. Pra, është një nen në statut që thotë; zëvendës drejtori, drejtori i përgjithshëm dhe drejtuesit e njësive administrative të RTSH duhet të kenë të njëjtin suport ligjor, duhet të kenë 10 vjet punë dhe jo më pak se 5 vjet në median e shkruar audio-vizive.

Në rregulloren e RTSH është edhe një pikë tjetër, që thotë se ata që konkurrojnë për poste të tilla, duhet të kenë diploma të arsimuara të profilit të tyre. Në rastin konkret është e shkelur dhe kjo. Tani po vijmë te procedurat në zgjedhjet e fundit. Kam mendimin se në këshillin tonë drejtues ka pasur shpeshherë ngërçe që kanë penguar hera herës punën dhe nuk kanë ndikuar për mbarëvajtjen e punëve në institucion.

Ka një kontradiktë të vjetër që kur jemi zgjedhur si anëtarë të Këshillit drejtues, mes këshillit drejtues dhe administratës së RTSH. Mbështetur në dokumentacionin që unë kam, janë 18 vendime të këshillit drejtues që nuk janë realizuar nga drejtoria e përgjithshme, megjithëse për ta vendimet e këshillit drejtues duhet të jenë të zbatueshme.

E filloj nga kreu! Në RTSH mungon transparenca dhe ky është kanceri i atij institucioni.  Kjo nuk është e paqëllimtë. Është mbajtur e mbuluar që të mos dalin në shesh bëmat që kanë bërë njerëzit që kanë drejtuar atë institucion. Përgjatë tre vjetëve, në këshillin drejtues kanë ardhur vetëm 4 herë gazetarë për të transmetuar atë çka merr përsipër për të diskutuar këshilli. Edhe në një ndërmarrje tjetër të zakonshme, kjo gjë nuk duhet të ndodhte. Kjo nuk është e paqëllimtë.

Unë kam kërkuar nga këshilli drejtues dhe ata e kanë miratuar me shumicë votash, të delegojmë të drejtën për të marrë informacion nga administrata, kryetari i Këshillit Drejtues. Këtë jam munduar ta bëj rregullisht, por asnjëherë nuk kam marrë një përgjigje të sakte dhe transparente. Duke filluar me tre drejtorë dhe me këtë të fundit. Para tre ditësh kam marrë një përgjigje që e kam parë nga Thoma Gëllçi  4 vjet më përpara. Ti i dashur drejtor nuk mund të kërkosh informacion nga departamentet e tjera, ndërkohë që këshilli e ka të specifikuar".

Ndër të tjera, Leka Bungo deklaroi se mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të RTSH-së do ta dërgojë në Gjykatë dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë mbledhje tjetër pa marrë një vendim.

VIDEO - NDIQNI MBLEDHJEN E PLOTE TE kOMISIONIT TE MEDIAS

Cfare ka ndodhur?

Javën e shkuar, anëtarët e mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Medias shprehën shqetësimin e tyre për procedurat e ndjekura nga Këshilli Drejtues i RTSH-së për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Shkak për shqetësimin e ligjvënësve demokratë dhe socialistë në Komisionin e Medias ishte skualifikimi i tetë kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së, duke lënë në garë e vetëm dy prej kandidatëve.

Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar, në mbledhjen e të hënës, me votim të fshehtë votoi për kandidatët që dorëzuan dokumentacionin e tyre brenda afatit të përcaktuar. Për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët plotësojnë kriteret për konkurrim për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së, me votim të fshehtë të drejtuar nga Komisioni Ad Hoc, u arrit ky rezultat: Klinton Rama – 4 vota pro, 5 vota kundër; Jetmir Shpuza – 7 vota pro, 2 vota kundër; Ermal Hoxha – 3 vota pro, 6 vota kundër; Eni Vasili – 4 vota pro, 5 vota kundër; Aurora Polo – 7 vota pro, 2 vota kundër, një votë e pavlefshme Në mbledhjen e radhës, Këshilli Drejtues i RTSH-së vendosi që në fazën e dëgjesës të thirren kandidatët Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo.

Por, lidhur me këtë proces, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, deputetja demokrate Ina Zhupa u shpreh, në një postim në rrjetet sociale, se “Këshilli Drejtues shpik rregulla që nuk ekzistojnë, skualifikon 8 kandidatë që plotësojnë çdo kriter ligjor duke shkelur ligjin. Nuk ekziston në ligj votim për t’u futur apo jo në votim! Thjesht garë dhe votim për të zgjedhur drejtorin mes atyre që plotësojnë kriteret ligjore”.

Sipas Zhupës, “me vendim antiligjor skualifikohen: Laureta Roshi, Kliton Rama, Floriana Paskali, Eni Vasili, Harilla Koçi, Enrik Mehmeti, Flamur Buçpapaj, Ermal Hoxha. Të tetë duhet të jenë në garë sipas ligjit bashkë me dyshen Polo – Shpuza që kaluan ‘votimin’”.

“Çdo anëtar i Këshillit në të drejtën e vet mund të votojë një kandidat që preferon sipas platformës dhe aftësive, por s’ka asnjë të drejtë skualifikuese nga gara kur plotësohen kriteret ligjore. Thjesht mos e voto për drejtor! Ligji i njeh të drejtën e zgjedhjes me votë të fituesit, jo të skualifikimit me votë të atyre që plotësojnë kriteret ligjore,” thekson Zhupa.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe nënkryetarja e Komisionit të Medias, deputetja socialiste Evis Kushi.

Kushi theksoi se është informuar për disa shkelje ligjore dhe parregullsi në këtë proces përmes shkresave zyrtare, por edhe deklaratave mediatike të disa prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së.

“Të bëhemi bashkë për ta ndjekur dhe për të mos lejuar shkelje të tilla. RTSH është një institucion me interes të lartë publik dhe ne kemi përgjegjësinë edhe t’i caktojmë edhe t’i lirojmë anëtarët e Këshillit sipas ligjit, por kemi edhe detyrim që t’i monitorojmë dhe t’u kërkojmë llogari në ato raste kur ata nuk përmbushin detyrimet që kanë sipas ligjit dhe statutit,” tha ajo.

Sipas nënkryetares së këtij komisioni, qasja nuk është për një ndërhyrje në proces, pasi nuk ka preferenca për emra të caktuar, por vetëm interes që procesi dhe gara të realizohet sipas ligjit dhe statutit.

“Nuk kemi lidhje me emrat, por me hapat dhe procesin sipas ligjit. Gara duhet të jetë e hapur, transparente dhe meritokratike. Jemi dakord që t’u dërgojmë një shkresë që ata të ndërpresin procesin dhe të na informojnë çfarë po ndodh, pra të reagojmë përpara vendimmarrjes kryesore,” shtoi Kushi.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Ina Zhupa, kërkoi që ky komision t’i drejtohet procedurave parlamentare për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, në rast se nuk ka një reagim nga ana e tyre.

“Jemi të gatshëm të kërkojmë jo vetëm shkarkimin, por edhe emërimin e personave të tjerë. Ata mendojnë se janë pronarë de facto të RTSH-së, sepse i besojnë mandatit të tyre deri në 2026 dhe mendojnë se ne do zihemi, nuk do biem dakord dhe nuk kemi çfarë t’u bëjmë. Unë propozoj që ditën e hënë të nisim procedurat për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së,” pohoi Zhupa.

“Ne si mazhorancë jemi dakord që të ndjekim çdo hap që na lejon ligji për ta kthyer këtë proces në normalitet dhe për të lejuar garë të ndershme dhe transparente”, përfundoi Kushi.

Pas këtij reagimi të Komisionit të Medias, por edhe Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, të cilët kërkuan transparencë mbi procesin dhe një përzgjedhje të bazuar në meritë, Këshilli Drejtues i RTSH-së vendosi pezullimin e procedurës, ndërsa Komisioni i Medias caktoi seancën dëgjimore me anëtarët e Këshillit të RTSH-së.