BE, projekt te “Gazetaria”: Fokus, liria e shtypit dhe siguria e gazetarëve

Prezenca e Bashkimit Evropian në Shqipëri ka nisur sot një projekt me departamentin e Gazetarisë dhe të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë (Universiteti i Tiranës).

Projekti me titull: “Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, synon të nisë një proces të hapur dialogu rreth angazhimeve të Shqipërisë për të adresuar çështjet kyçe që lidhen me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Sipas postimit në rrjetet sociale të BE, përmes projektit, synohet një vëmendje më e shtuar në pronësinë e medias dhe gazetarinë e pavarur, sigurinë e gazetarëve, shkeljen e lirisë së shtypit dhe qasjen në informacion.

“Ky projekt është një mundësi për një qasje të vërtetë të gjithë shoqërisë ndaj reformave që Shqipëria duhet të miratojë në sektorin e medias. Të gjithë aktorët përkatës mund të bashkohen për të vendosur për modelin më të mirë që i përshtatet kontekstit shqiptar, duke u mbështetur nga praktikat më të mira dhe standardet e shteteve anëtare brenda Bashkimit Evropian. BE-ja është e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në këtë detyrë komplekse,” u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato në fjalën e tij.

Ambasadori Gonzato theksoi se “nuk ka rrugë drejt integrimit në BE pa lirinë e shprehjes, si një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike”.