Votimi nga jashtë – Mbi 112 mijë regjistrime, 70 457 kërkesa të miratuara
Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.
Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 112 339, ndërsa deri sot në orën 16:30 janë miratuar 70 457 kërkesa.
Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 67 472 (60.1%) kërkesa, ndërsa femrat janë 44 867 (39.9%).
Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 31 997 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 30 468 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 21 141 dhe mbi 56 vjeç janë 17 055 kërkesa për regjistrim.
Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç, kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 11 678 të tilla. Sipas të dhënave janë refuzuar 41 502 kërkesa.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 41 144 , e ndjekur nga Greqia me 29 982, Gjermania me 13 958, si dhe nga SHBA me 8 371.
Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 21 220, më pas bashkia e Fierit me 16 147, Korça me 12 047, Durrësi me 11 408 etj.

