Pasardhësi i Janullatosit, Sinodi i Shenjtë duhet të zgjedhë Kryepeshkopin brenda 6 muajsh
Pas vdekjes së Kryepeshkopit Anastas Janullatos, Kisha Ortodokse Shqiptare do të mbajë përshpirtje dhe liturgji për 40 ditë.
Pasardhësi i tij do të zgjidhet nga Sinodi i Shenjtë, i cili përbëhet nga 7 mitropolitë, përfshirë 5 shqiptarë dhe 2 grekë.
Anastas Janullatos kishte deklaruar se pasuesi i tij do të ishte një shqiptar, duke theksuar që qëllimi i tij ishte ndihma në ndërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Me varrimin e Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas Januillatos ka marrë fund edhe zija kishtare.
Duke nisur nga e premtja për 40 ditë me radhë, Kisha Ortodokse do të mbajë liturgji dhe përshpirtje në nder të Kryepeshkopit Anastas.
Zgjedhja e pasardhësit të Anastasit në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është e sanksionuar në statutin e Kishës, ndërsa procedura duhet të bëhet deri në 6 muaj pas vdekjes së kryepeshkpit në detyrë.
I takon Sinodit të Shenjtë që të zgjedhë pasardhësin duke votuar një prej 7 anëtarëve të tij.
Sinodi përbëhet nga Hirësia e Tij, Joani – Mitropolit i Korçës; Hirësia e Tij, Dhimitri – Mitropolit i Gjirokastrës; Hirësia e Tij, Nikolla – Mitropolit i Apolonisë dhe Fierit; Hirësia e Tij, Andoni – Mitropolit i Elbasanit; Hirësia e Tij, Nathanaili – Mitropolit i Amantias dhe Hirësia e Tij, Asti – Mitropolit i Beratit.
efekte
Në Sindon e shenjtë janë 5 shqiptarë dhe dy grekë, njëri prej të cilëve ka nisur procedurat e marrjes së shtetësisë shqiptare.
Në vitin 2017, Anastasios Janullatos ka deklaruar se pasuesi i tij në krye të këtij institucioni fetar do të jetë një shqiptar.
"Padyshim që pasuesi im do të jetë shqiptar. Ne nuk kemi vajtur atje për të ndërtuar një koloni, por për të ndërtuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë", është shprehur ai në një intervistë të dhënë me herët në televizionin 'Sky' në Greqi.
Ende nuk dihet nëse kryepeshkopi i ri do të zgjidhet para apo pas pashkës ortodokse e cila është me datën 20 prill të këtij viti.


