Këshilli Drejtues përzgjedh dy kandidatë për drejtor të RTSH, Zhupa: u shkel ligji
Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar vijoi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të RTSH.
Në mbledhjen e së hënës, anëtarët e Këshillit, në zbatim të ligjit për mediet audiovizive dhe të statutit të Radio Televizionit Shqiptar, me votim të fshehtë votuan për kandidatët që dorëzuan dokumentacionin e tyre brenda afatit të përcaktuar.
Për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët plotësojnë kriteret për konkurrim për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së, me votim të fshehtë të drejtuar nga Komisioni Ad-Hoc, u arrit ky rezultat:
Klinton Rama, 4 vota pro, 5 vota kundër;
Jetmir Shpuza, 7 vota pro, 2 vota kundër;
Ermal Hoxha, 3 vota pro, 6 vota kundër;
Eni Vasili, 4 vota pro, 5 vota kundër;
Aurora Polo, 7 vota pro, 2 vota kundër, një votë e pavlefshme.
Në mbledhjen e radhës, Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar mori vendimin që në fazën e dëgjesës të thirren kandidatët Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo.
Këshilli Drejtues vendosi që seanca dëgjimore me dy kandidatët do të zhvillohet të premten në orën 10:00.
Lidhur me këtë proces, ka reaguar deputetja demokrate, Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, Ina Zhupa, e cila është shprehur se “çmenduria e Këshillit Drejtues së RTSH, skualifikon nga gara kandidatët që plotësojnë kriteret”.
“Këshilli Drejtues shpik rregulla që nuk ekzistojnë, skualifikon 8 kandidat që plotësojnë çdo kriter ligjor duke shkelur ligjin. Nuk ekziston në ligj votim për tu futur apo jo në votim!!! Thjesht garë dhe votim për të zgjedhur drejtorin mes atyre që plotësojnë kriteret ligjore!”, shkruan Zhupa në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Zhupës, “me vendim antiligjor skualifikohen: Laureta Roshi, Kliton Rama, Floriana Paskali, Eni Vasili, Harilla Koçi, Enrik Mehmeti, Flamur Buçpapaj, Ermal Hoxhan Të 8 duhet të jenë në garë sipas ligjit bashkë me dyshen Polo- Shpuza që kaluan “votimin”.”, vijon Zhupa
“Cdo anëtar i Këshillit në të drejtën e vet mund të votoj një kandidat kë preferon sipas platformës dhe aftësive por ska asnjë të drejtë skualifikuese nga gara kur plotësohen kriteret ligjore. Thjesht mos e voto per drejtor! Ligji i njeh të drejtën e zgjedhjes me votë të fituesit, jo të skualifikimit me votë të atyre që plotësojnë kriteret ligjore.”, thekson Zhupa
