U dënua me 1 vit burg, Memolla: Nuk iki, do ta apeloj vendimin, falenderoj ata që nuk më kthyen shpinën!
Kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla nuk do të tërhiqet nga posti deri në një vendim të Apelit të GJKKO.
Në një reagim në rrjetet sociale dy ditë pasi u dënua nga Gjykata e Posaçme me një vit burg për akuzën e korrupsionit në zgjedhje, Memolla u shpreh se do të respektojë çfarëdolloj vendimi të marrë nga drejtësia.
Memolla: Që kur mu besua detyra e përfaqësuesit të popullit tim, kam qenë në dijeni për peshën që do sillte në çdo dimension të sajin. Drejtësinë e Re e kam mbështetur fuqimisht dhe si rrjedhojë jam i hapur të pranoj çfarëdolloj vendimi të dhënë kundrejt meje, por kjo nuk më pengon të apeloj një vendim i cili nuk është i mbështetur aspak në prova dhe fakte.
Theksoj se deri në një vendim të formës së prerë e më tej, unë jam kryetar i bashkisë Rrogozhinë, në krye të detyrës dhe i vetëdijshëm për të gjitha përgjegjësitë që ky post sjell. Së fundmi, ju falenderoj nga zemra të gjithë ju që keni qenë pranë meje duke më njohur, mbështetur si njeri, duke besuar të vërtetën time të pafajshme dhe s'më keni kthyer shpinën edhe kur situata duket e vështirë.
Memolla u dënua me një vit burg si dhe iu hoq e drejta për të mbajtur poste zyrtare për 5 vite pasi u akuzua se ka ndikuar tek elektriçistët e OSHEE për të mos ndërprerë energjinë elektrike familjeve që nuk kanë paguar detyrimet në mënyrë që të votojnë për të në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022.
Për bashkë të pandehurit e tjerë Ndriçim Tafxhafa dhe Isuf Toskun, SPAK kërkoi 1 vit burg, ndërsa për Blerim Xhamanin 2 vite burg.
