Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit/ Presidenti i FSHF-së mesazh ngushëllimi: Figurë e jashtëzakonshme shpirtërore dhe humane

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar me një mesazh në llogarinë e tij në Facebook për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

“Me dhimbje mësova për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, një figurë e jashtëzakonshme shpirtërore dhe humane, që i kushtoi jetën e tij shërbimit ndaj njerëzve, vlerave të paqes dhe bashkëjetesës.

Kryepeshkopi Anastas ishte një udhëheqës shpirtëror i cili, përmes urtësisë dhe përkushtimit të tij, solli një kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri dhe në promovimin e harmonisë ndërfetare, që është kaq e çmuar për shoqërinë tonë.

Si President i Federatës Shqiptare të Futbollit, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të gjithë ata që gjetën frymëzim dhe mbështetje tek Ai.

Në këtë moment të vështirë, le të kujtojmë mesazhet e tij të dashurisë dhe mirëkuptimit, që mbeten një shembull frymëzues për të gjithë ne. Kujtimi i tij do të jetojë gjithmonë si një dritë shprese dhe paqeje.

Qoftë shpirti i tij i qetë në paqe të përjetshme!"