Bie prodhimi vendas, Preçi “skanon” faktorët që shkaktuan degradimin: Investimet e shtetit në fshat, anemike
Mungesa e prodhimit vendas dhe zhvillimi i turizmit është duke nxitur rritjen e shpejtë te importeve, sidomos në disa grupe ushqimesh ku sasitë u rriten me mbi 30 për qind në vitin 2024.
Për të kuptuar më shumë mbi këtë situatë që dëshmon një prodhimtari të ulët nga fermerët shqiptarë, i ftuar në një intervistë në “Ora News” ishte eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi.
“Të flasësh për prodhime të pakta apo të ulëta të vendit është diçka që nuk i përket vetëm kësaj periudhe, por që ka nisur që prej viteve 1990.
Kjo gjë lidhet me okupimin e sipërfaqeve bujqësore nga ndërtimet; lidhet mjerisht edhe sot e kësaj dite me procesin e legalizimeve edhe në tokat bujqësore; lidhet me largimin masiv nga tokat bujqësore, jo se nuk ka qenë më parë braktisja e fshatit, por nuk është bërë asnjëherë si në këto vitet e fundit; lidhet me mungesën e mbështetjes financiare nga shteti për fermerët; lidhet me mungesën e rrjeteve të grumbullimit të prodhimit; lidhet me problemet që ka sot kryesisht arsimi profesional dhe mungesën e punëtorëve të kualifikuar.
Kjo situatë ka bërë që të kemi ulje të prodhimit vendas, që të kemi mungesë interesimi nga ana e fermerëve. Dhe natyrisht kemi një konkurencë si nga vendet e rajonit apo edhe të vendeve të tjera.
Shifrat e turizmit janë premtuese për të nxitur prodhimin vendas, dhe kriza e luftës në Ukrainë do të bënte rritjen e prodhimit të grurit dhe misrit në Shqipëri, gjë që nuk ka ndodhur.
Në kushtet kur toka vijon të jetë e fragmentuar, në kushtet kur investimet e qeverisë janë anemike, në kushtet kur çmimet e lëndëve të para mungojnë, edhe pse ka kërkesë konsumatore vazhdon të bjerë”, theksoi ndër të tjera eksperti Zef Preçi.
NDIQNI ANALIZËN E SITUATËS EKONOMIKE NË VEND SI PASOJË E ULJES SË PRODHIMIT SHQIPTAR NGA EKSPERTI ZEF PREÇI


