Ben-Gvir tërhiqet nga qeveria me fillimin e armëpushimit në Gaza

Partia e ekstremit të djathtë Otzma Yehudit (Forca Hebraike) e ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka dhënë dorëheqje nga qeveria izraelite pasi marrëveshja e armëpushimit në Gaza hyri në fuqi.

Siç raporton Haaretz, Ben-Gvir dhe ministra të tjerë nga partia e tij i dorëzuan letrat e tyre të dorëheqjes kryeministrit Benjamin Netanyahu.

“Që nga kjo kohë e tutje, Partia Otzma Yehudit nuk është anëtare e koalicionit”, njoftoi partia.

Ben-Gvir ia atribuoi dorëheqjet vendimit të qeverisë për të miratuar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe lirimin e qindra palestinezëve nga burgjet izraelite.

Pas tërheqjes së Partisë Otzma Yehudit, koalicioni qeverisës akoma mbijeton me 62 vende parlamentare në Knesset-in prej 120 vendesh.

Dje, 24 ministra në qeveri miratuan marrëveshjen e Gazës për armëpushim dhe shkëmbim të burgosurish, ndërsa tetë e refuzuan atë.

Marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi sot në orën 11:15 me orën lokale (09:15 GMT) pas disa orësh vonesë për shkak të akuzave izraelite ndaj Hamasit për vonimin e lëshimit të listës së pengjeve që do të lirohen. Fillimisht ishte planifikuar që armëpushimi të fillojë në orën 8:30 të mëngjesit me orën lokale.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, të paktën 47 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 110.700 të tjerë janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza.