Hamasi dorëzon emrat e pengjeve izraelite që do të lirohen, hyn në fuqi marrëveshja e armëpushimit në Gaza
Marrëveshja e armëpushimit në Gaza ka hyrë në fuqi. Lajmi vjen pasi Hamasi zbuloi tre pengjet e para që planifikon të lirojë ditën e sotme.
Dorëzimi i emrave ishte kusht nga Izraeli për vendosjen në zbatim të marrëveshjes së armëpushimit. Hamasi ka zbuluar tre pengjet që do të lirohen në ditën e parë të zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Njëra prej tyre është një shtetase britaniko-izraelite e quajtur Emily Damari. Dy emrat e tjerë janë Romi Gonen dhe Doron Steinbrecher.
Ndërkohë marrëveshja e armëpushimit në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit do të hyjë në fuqi në orën lokale 11:15.
Kjo listë me emra ka qenë pengesa kryesore pse Benjamin Netanyahu vonoi fillimin e armëpushimit këtë mëngjes, i cili do të fillonte në orën lokale 08:30.
Një pjesë e marrëveshjes nënkupton se lista duhej të jepej të paktën 24 orë përpara. Më herët, Hamasi deklaroi se arsyeja e vonesës ishte për shkak të një çështjeje “teknike”.
LISTA E PLOTË
Izraelitët që do të lirohen nga Hamasi si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit përfshijnë pengjet më të rinj dhe më të vjetër që u rrëmbyen më 7 tetor 2023, sipas një liste të publikuar nga Izraeli.
Llogaria zyrtare e Izraelit X, postoi një imazh me emrat e 33 pengjeve të parë që pritet të lirohen.
Kfir Bibas ishte nëntë muajsh kur u mor peng dhe tani ka kaluar dy ditëlindje në robëri.
Shlomo Mantzur, 86 vjeç, është pengu më i vjetër që është rrëmbyer dhe pritet të jetë në valën e parë të pengjeve që do të lirohen.

