Ngrihet komisioni i Verës, Denaj: Harmonizojmë sektorin me standardet europiane

Qeveria miratoi sot projektvendimin për funksionimin e Komisionit të Verës. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila e cilësoi këtë si një hap drejt harmonizimit të sektorit me standardet europiane.

“Vlerësimi dhe regjistrimi i verërave cilësore, me emërtimin “Term Tradicional”, mbyll këtë cikël në përputhje me standardet dhe kërkesat ligjore të BE-së”, tha ministrja.

Sipas saj, rritja e vlerës së produkteve dhe konkurrueshmërisë së verërave shqiptare në tregjet globale, gjeneron më shumë të ardhura për këtë sektor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Shqipëria numëron rreth 11 mijë hektarë vreshta të varieteteve të ndryshme dhe gjatë viteve të fundit prodhimi i verërave është rritur me rreth 11,2%, duke fituar qëndrueshmëri në volumin e prodhimit në rreth 190-195 mijë tonë në vit.

Kjo ecuri pozitive konfirmon potencialin që ka ky sektor për t’u rritur dhe për t’u kthyer në një model të suksesshëm zhvillimi.