Projekti i Kushner në Sazan, Berisha: Nuk kundërshtojmë një ofertë që plotëson rregullat ligjore

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka folur sot lidhur me projektin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit. Gjatë një komunikim me qytetarë në rrjetet sociale, Berisha tha se kryeministri Rama po e përdor për të blerë influenca politike.

“Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike. Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit.
Pavarësisht, theksoj dhe njëherë, se Edi Rama e ka përdorur atë për qëllime politike, por kjo është në tagrin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e tyre për këtë përdorim”, tha ai.

Kompania e , dhëndrit të presidentit të zgjedhur të SHBA Donald Trump, merr statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit.

Projekti i Jared Kushner, dhëndri i presidentit të zgjedhur Donald Trump, u bë publik 9 muaj më parë dhe në fund të dhjetorit, Komiteti i investimeve strategjike në Shqipëri, i dha atij statusin e investitorit strategjik, përmes kompanisë “Atlantic Incubation Partners” LLC.

“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro”, thuhet në vendimin e KIS.

Prestigjiozja “New York Times” në një artikull të publikuar shkruan se : “miratimi i Komitetit të Investimeve Strategjike të Shqipërisë, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i jep Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të vazhduar me negociatat e përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në një seksion prej 111 hektarësh të ishullit të Sazanit prej 2,2 milje katrorë që do të lidhet me traget me kontinentin”.

“Kushner dhe qeveria shqiptare – të pyetur më parë për këtë projekt – thanë se vlerësimi nuk po ndikohet nga lidhjet e Kushner me Trump apo nga ndonjë përpjekje tjetër për të kërkuar favore nga qeveria e SHBA-se”, thuhet ndër të tjera në shkrim.