BE akuzon Kinën për diskriminim ndaj prodhuesve evropianë të pajisjeve mjekësore në kontratat publike
BE-ja akuzoi sot Kinën për diskriminim ndaj prodhuesve evropianë të pajisjeve mjekësore në kontratat publike dhe paralajmëroi për “veprim vendimtar” në rast se çështja nuk do të zgjidhej përmes dialogut me Pekinin.
Tensionet tregtare midis dy fuqive ekonomike janë rritur që kur BE-ja lëshoi një sërë hetimesh në vitin 2024, ndaj të cilave Kina është kundërpërgjigjur duke nisur hetimet e saj për produktet e BE-së.
Hetimi i bllokut – i cili nisi në prill të vitit të kaluar – synon të promovojë reciprocitetin në aksesin në tregjet e prokurimit publik.
“Ne kemi zbuluar se Kina po diskriminon prodhuesit e pajisjeve mjekësore të BE-së në ofertat për kontrata publike”, tha në një deklaratë shefi i tregtisë së bllokut Maros Sefcovic.
“Ndërsa ne vazhdojmë t’i japim përparësi dialogut si hapin e parë për gjetjen e zgjidhjeve, ne jemi të gatshëm të ndërmarrim veprime vendimtare për të mbrojtur mundësitë e drejta dhe të barabarta dhe për të mbështetur konkurrencën e ndershme”, tha Sefcovic.
“Raporti i BE-së zbuloi prova të qarta të Kinës që kufizon aksesin e prodhuesve të pajisjeve mjekësore të BE-së në kontratat e saj qeveritare – në një mënyrë të padrejtë dhe diskriminuese”, tha Komisioni Evropian.
Pajisjet në fjalë përfshinin aparate me rreze X, implante, aparate dëgjimi, paterica, fashë dhe proteza.
Sipas rregullave të BE-së, Brukseli mund të kufizojë apo të përjashtojë aksesin e kompanive kineze në tregun e prokurimeve publike të bllokut 27-vendesh – nëse konstaton se ndërmarrja e veprimeve të tilla janë në interesin e tij.
Komisioni tha se do të vlerësonte mundësinë e marrjes së masave të tilla – në mungesë të një zgjidhjeje të pranueshme.
Kur nisi hetimi, Kina akuzoi Evropën se po jepte sinjale mbrojtëse dhe se po rrezikonte dëmtimin e imazhit të saj.
