IZRAEL – Ministri i Sigurisë paralajmëron për dorëheqje në rast të një marrëveshjeje me Hamasin
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir paralajmëroi sot se të japë dorëheqjen nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu – në rast të një marrëveshjeje me lëvizjen islamike Hamas për pengjet që mbahen në Rripin e Gazës.
Në një postim në X, Ben-Gvir i bëri thirrje ministrit të Financave të krahut të djathtë, Bezalel Smotrich, që t’i bashkohej atij për të kundërshtuar marrëveshjen e tmerrshme që po hartohej.
“Netanyahu duhet të informohet – me vendosmëri – se do të largohemi nga qeveria nëse marrëveshja arrihet”, tha Ben-Gvir.
Por, ai shtoi se në rast të dorëheqjes së tij, ai nuk do të kërkojë të rrëzojë qeverinë. Izraeli në të kaluarën ka pasur qeveri të pakicave.
Qeveria e Netanyahut ka 68 vende në parlamentin prej 120 vendesh. Nëse grupet e udhëhequra nga Ben-Gvir dhe Smotrich do të largoheshin, ai nuk do të kishte më shumicën.
Yair Lapid, lideri i opozitës në parlament dhe një ish-kryeministër, tha dje se ai do të ishte i përgatitur t’i ofronte Netanyahut një “rrjet sigurie” për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve me Hamasin.
Ben-Gvir shprehu kritika për planet e raportuara për të tërhequr forcat izraelite nga Rripi i Gazës dhe lirimin e qindra të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli në këmbim të lirimit të 33 pengjeve në një fazë fillestare, duke e cilësuar një marrëveshje të këtij lloji një “kapitullim”.
Në vend të kësaj, ai bëri thirrje për një ndërprerje të plotë të ndihmës humanitare për Rripin e Gazës, duke përfshirë karburantin, energjinë elektrike dhe ujin, me qëllim “nënshtrimin total” të Hamasit.
Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden shprehu optimizëm, duke thënë se një armëpushim dukej se ishte “në prag” dhe se më në fund mund të realizohej.
