Izraeli: Marrëveshja për lirimin e pengjeve me Hamasin është ‘afër’
Qeveria izraelite shpreson për një përfundim të shpejtë të negociatave indirekte me Hamasin për lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës dhe lirimin e të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, tha një zëdhënës i qeverisë.
“Ne, vërtetë shpresojmë se së shpejti do të jemi në gjendje të shpallim një lajm të mirë. Jemi afër, por ende jo në përfundim”, tha ai.
Ai vuri në dukje progresin e rëndësishëm gjatë javëve të fundit, dhe gjatë ditëve të fundit në veçanti – pasi Hamasi ka treguar seriozitet më të madh se më parë.
“Bisedimet në Doha ishin në një “dritare kohore kritike”, tha ai.
Zëdhënësi tha se kushtet kishin ndryshuar në favor të Izraelit që nga vrasja e liderit të Hamasit Yehya al-Sinwar më 16 tetor në Rripin e Gazës, së bashku me dobësimin e boshtit iranian në rajon.
“Popullsia e Rripit të Gazës ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës”, tha zëdhënësi, duke theksuar kushtet optimale për një marrëveshje dhe ndryshimet në Lindjen e Mesme.
