Plagosja e 40-vjeçarit nga i dashuri i gruas në Fier / Babi i autorit i bën thirrje të dorëzohet: Nuk e di se ku mund të jetë

Klement Beqaj plagosi me armë zjarri 40-vjeçarin, Gledi Hoxhallari, mbrëmjen e së dielës në qytetin e Fierit. Babi i autorit, në një rrëfim për emisionin "Me zemër të hapur" në Neës 24, ka rrëfyer se djali i tij ishte në një lidhje me bashkëshorten e të lënduarit, Melisa Beluli. Ai ka zbuluar se djali i tij dhe 29-vjeçarja ishin në një lidhje për rreth 6 muaj ose 1 vit.

Babi i autorit ka rrëfyer se e ka kundërshtuar lidhjen e tyre fillimisht, pasi ka mësuar se 29-vjeçarja ishte e martuar. Ai ka treguar më tej se ditën e ngjarjes kishte folur me djalin e tij, i cili nuk i kishte treguar asgjë.

“Nuk e di sa kohë kishte Klementi që jetonte me Melisën, 6 muaj ose 1 vit. Kohët e fundit e kam marrë vesh që ajo ishte e martuar. Në fillim nuk isha dakord për lidhjen e tyre, por pastaj fola me prindërit e saj. Kam folur me të ditën e ngjarjes. Nuk më tha asgjë për këtë. Vetëm më tha jam mirë, dhe kaq.", është shprehur babi i autorit.

Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen e plagosjes, 25-vjeçari ndodhet në arrati, teksa babai bëri thirrje që të kthehet. 

"Mua më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur. Nuk e kam idenë se ku mund të jetë tani. Unë i bëj thirrje të kthehet sa më shpejt.”, ka shtuar ai.