"Shqipëria në hall, qeveria pi mall!" Balliu publikon VIDEON: Situatë katastrofike në Qafë-Thanë. Prej më shumë se 6-të orësh qytetarët kanë mbetur në rrugë, shteti askund

E gjithë Shqipëria është përfshirë gjatë ditës së sotme nga moti me reshje dëbore dhe shirash, duke bllokuar rrugët, duke lënë njerëzit në mes të ftohtit dhe në mes të borës.

Por jo vetëm kaq. Moti ka lënë pa energji elektrike zona të tëra nëpër Shqipëri, duke sjellë probleme të mëdha.

Përveç dëborës, reshjet e shiut kanë përfshirë Shqipërinë e mesme dhe bregdetin, duke sjellë përmbytje dhe probleme në qarkullimin e mjeteve nëpër rrugë.

Probleme në Librazhd-Qafë Thanë-Pogradec

Aktualisht, në aksin rrugor Qafë Thanë-Librazhd ka vështirësi në qarkullim për shkak të pranisë së dëborës. Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve të pajisen me zinxhirë, pasi nuk lejohet kalimi pa to, si edhe te tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjës, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë. Është bllokuar dhe lëvizja e kamionëve në aksin rrugor Qafë Thanë-Librazhd dhe ato që shkojnë drejt Librazhdit nuk lejohet.

Kaos në qarkullim në aksin rrugor nga Pogradeci në Qafë Thanë. Reshjet e borës shoqëruar me erë të fortë kanë paralizuar pothuaj totalisht lëvizjen. Më problem situata paraqitet pranë Udënishtit ku mjetet rrëshqisnin dhe bllokuan lëvizjen. U desh ndërhyrja e policisë dhe mjeteve borëpastruese për të stabilizuar situatën edhe pse lëvizja nisi është tepër e ngadaltë.

I gjithë aksi është nën pushtetin e borës dhe erës nën temperatura -3 duke sjellë edhe shfaqjen e shtresave të akullit. Bora dhe era vijon ende teksa duket se përpara është një natë e gjatë dhe e vështirë. Pothuajse 90% e mjeteve janë pa zinxhirë.

Për këtë situatë ka reaguar edhe anëtari i Kryesisë së PD-së Klevis Balliu, i cili ka publikuar dhe pamjet e automjeteve të bllukuara në Qafë-Thanë.

"Shqipëria në hall qeveria pi mall! Situatë katastrofike në zbritje të Qaf Thanës. Prej më shumë se 6-të orësh qytetarët kanë mbetur në rrugë, sepse qeveria nuk merr asnjë masë, sepse qeveria vjedh cdo qindarkë te parave publike, qeveria s'ka kohë të merret me qytetarët sepse sot qeveria meret me trafikantet me drogen me krimin.

E të mendosh që kemi kilometrin më të shtrejntë në botë dhe buxhetin më të lartë te rajonit dhe nuk zhbllokojmë dot rrugën as nga dëbora sepse cdo cent vidhet", thekson Balliu.

SITUATA NE VEND NGA MOTI I KEQ

Në Kukës mungon energjia

Të gjitha akset rrugore nacionale në Kukës janë të qarkullueshme, teksa raportohet se subjektet kontraktore kanë vijuar punën për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre. Në bashkinë Kukës, rrugët janë të kalueshme nga ato nacionale deri në qendrat e njësive administrative, me përjashtim të njësive Arrën dhe Zapod. Në bashkitë Tropojë dhe Has, të gjitha rrugët janë plotësisht të qarkullueshme.

Qarku Kukës furnizohet me energji elektrike përveç disa njësive administrative dhe fshatrave të përmendur: Bashkia Kukës: Njësitë Arrën, Ujmisht, Bicaj dhe fshatrat Kolesian, Turaj, Shishtavec, Qam, Malzi.

Bashkia Has: Njësitë Gjinaj dhe Fajza, si dhe fshatrat Kishaj, Pogaj, Myç-Has, Tobël dhe Metaliaj. Furnizimi me ujë për banorët e qarkut kryhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit Kukës.

Bllokohet rruga e Arbrit

Vijojnë reshjet e borës me intensitet mesatar, situata e njëjtë vazhdon të mbahet i mbyllur baypasi i Murrizit në rrugën e Arbrit, ka bllokime të herë pas hershme tek pishat e Bulqizës nga era e fortë. Ka pasur një bllokim në qafën e Ulzës (aksi i vjetër) por tani është bërë i mundur kalimi dhe mjetet kanë lëvizur. Peshkopi-Kukës kalimi me zinxhirë, Peshkopi-Librazhd kalimi me zinxhirë. Mjetet  e kompanive kontraktore kanë hapur rrugët e qyteteve Peshkopi e Bulqizë, por janë të bllokuara ende njësitë administrative.

Bllokohen rrugët drejt Ulzës dhe Kishës së Laçit

Policia e Lezhës ka dalë me një njoftim zyrtar, ku tregon se rruga që të çon te Kisha e Laçit dhe segmenti rrugor në Qafë të Ulzës janë të bllokuara dhe automjetet nuk mund të kalojnë deri në një njoftim të dytë. ‘Policia Rrugore Lezhë njofton të gjithë drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë nga Skurajt në drejtim të Ulzës se segmenti rrugor në Qafë të Ulzës është i bllokuar për shkak të reshjeve të dendura të borës. Rruga që të çon te Kisha e Laçit është gjithashtu e bllokuar për të njëjtën arsye’, thuhet në njoftim.

Grekët bllokojnë lëvizjen e kamionëve

Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, Policia Kufitare Greke ka njoftuar Policinë Kufitare të Korçës se nga ora 17:00 e datës 12.01.2025 dhe deri në një njoftim të dytë, nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Kapshticë, në drejtim të shtetit grek. Do të lejohet vetëm kalimi i autoveturave dhe autobusëve, të cilët duhet të jenë të pajisur me goma dimërore dhe me zinxhirë. Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të rënda që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë të mos udhëtojnë drejt kësaj pike, deri në pritje të njoftimit  ditën e nesërme nga Policia Kufitare Greke, për lejimin e lëvizjes së tyre.