Noka takim online me Partinë Demokratike, Dega Kanada

Më datë 11 Janar 2025, u mbajt një takim online në platformën Zoom i organizuar nga Partia Demokratike, dega Kanada, ku morën pjesë Flamur Ndoka dhe Arben Ibroja. Ky takim u fokusua në diskutime të rëndësishme lidhur me çështjet e procesit të regjistrimit të votuesve të diasporës dhe sfidat aktuale politike.

Një nga temat kyçe të diskutimit ishte vështirësia e hasur në sistemin e PER të  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). U theksua qartë se ky sistem po e demoralizon votën e diasporës përmes teknikaliteteve të komplikuara të verifikimit të identitetit dhe regjistrimit për votim. Këto pengesa burokratike e vështirësojnë procesin e regjistrimit, duke krijuar nevojën urgjente për modifikime nga ana e KQZ-së, për shkak të kufizimeve kohore dhe mungesës së udhëzimeve konkrete dhe të thjeshtësuara, që të jenë të kuptueshme për të gjitha grupmoshat.

Gjithashtu, në këtë takim u trajtua edhe çështja e organizimit të degëve formale dhe joformale të Partisë Demokratike në diasporë. U theksua rëndësia e rolit të diasporës në zhvillimet politike në Shqipëri dhe domosdoshmëria e ndërgjegjësimit dhe informimit të saj mbi të vërtetat politike dhe elektorale.

Një tjetër tematikë shqetësuese e ngritur ishte shfrytëzimi i aparatit shtetëror, përfshirë ambasadat dhe nënpunësit publikë, nga Partia Socialiste për mobilizimin e votuesve në diasporë. U evidentua fakti se PS po përdor presione dhe shantazhe ndaj familjarëve të diasporës, të cilët punojnë në institucionet publike të udhëhequra nga kjo parti.

Takimi përfundoi me angazhimin e pjesëmarrësve për të vijuar përpjekjet për një proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës, si dhe për të vijuar informimin dhe mobilizimin e diasporës shqiptare në Kanada në mbrojtje të të drejtave demokratike.Kryesia Dega e Partisë Demokratike - Kanada