BIEN KREDITË ME PROBLEME! Bizneset dhe familjet nuk vonojnë këstet e huave

Raporti i kredive me probleme në nëntor preku nivelin më të ulët historik duke shkuar në nivelin 4,48%.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë një vit më parë huatë me probleme ishin në 5,06%.

Ekspertët shprehen se kjo situatë tregon rritjen e aftësisë paguese nga bizneset apo individët që u janë drejtuar bankave për likuiditete apo shpenzime të tjera.

Institucioni qendror financiar në vend vëren edhe një zgjerim total i portofolit të kredive në muajin nëntor në vlerën e 824,4 miliardë lekëve nga 722,2 miliardë që ishte në nëntor të vitit 2023.

Sektorët që dominojnë në këtë zgjerim mbetet ai i investimeve në prona të paluajtshme, ndërtimi dhe turizmi.

Banka e Shqipërisë parashikon edhe në 12 muajt e ardhshëm bankat do të vazhdojnë të mbështesin me hua individët dhe bizneset. Ndërsa parashikimi për rritjen e ekonomisë pritet të shkoj në mbi 3.6 për qind.