36 oficerë të Shqipërisë dhe Kosovës përfundojnë Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë

Ministria e Mbrojtjes njofton se 30 oficerë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe 6 nga Forca e Sigurisë së Kosovës kanë përmbyllur një etapë të rëndësishme të formimit të tyre në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes “kjo arritje pasqyron përgatitjen profesionale dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes rajonale”.

Misioni i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë është edukimi dhe kualifikimi i personelit ushtarak e civil nëpërmjet programit mësimor, në nivelet e larta të drejtimit të Forcave të Armatosura dhe të institucioneve të tjera të sigurisë kombëtare, për përdorimin kreativ dhe me efikasitet të elementëve të fuqisë kombëtare në kohë paqe, krize dhe lufte, si dhe arsimimin e liderëve civilë e ushtarakë të vendeve partnere dhe të NATO-s.

Krijimi i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë (KMS) erdhi si domosdoshmëri e ndarjes së arsimimit për zhvillimin e karrierës së personelit ushtarak dhe civil dhe si nevojë e përmirësimit të vazhdueshëm cilësor në përshtatje me zhvillimet e fundit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë është njësi në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.