Patriarku i Moskës mesazh për Anastas Janullatos: Lutem për shërimin tuaj sa më shpejt! Zoti të forcojë fuqitë fizike dhe shpirtërore

Patriarku i Moskës Kirill i ka uruar shërim të shpejtë Kryepeshkopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos, i cili prej disa ditësh ndodhet në një spital në Greqi në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pasi mësova për sëmundjen që ju ka goditur, i shpreh mbështetjen vëllazërore Fortlumturisë suaj dhe ju siguroj për lutjet e mia për shërimin tuaj të shpejtë”, thuhet në mesazh.

Primati i Kishës Ortodokse Ruse kujtoi ngrohtësisht ndërveprimet e tij vëllazërore dhe mirëkuptimin e ndërsjellë me Kryepeshkopin Anastas, të cilat kanë rezultuar në “veprime të përbashkëta që synojnë forcimin e unitetit të Ortodoksisë dhe dhënien e dëshmisë së besimit tonë ndaj të krishterëve joortodoksë dhe botës së jashtme”.

“Krishti Shpëtimtar, nga plagët e të cilit jemi shëruar, të forcojë fuqitë tuaja shpirtërore dhe fizike, t’ju ndihmojë të kapërceni barrat e sëmundjes dhe t’ju dhurojë  paqen e Tij të hirshme, e cila tejkalon çdo kuptim,” i ka uruar Patriarku Kirill Primatit të Kishës Ortodokse Shqiptare, sipas Shërbimit të Shtypit të Patriarkut të Moskës.