Vuri tritolin në Theth, lezhjani tregon se u urdhërua nga burgu. Akuza: Version i dyshimtë, do të fshehë autorët e vërtetë
Frederik Paplekaj, 27-vjeçari nga Lezha i arrestuar për vendosjen e një sasie tritoli në një supermarket në Theth, është ndaluar nga policia e Shkodrës, si i dyshuari i parë për akuzën e “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”.
Gjatë marrjes në pyetje Paplekaj, ka treguar në polici se ai ishte telefonuar nga një person që ndodhet në burg, nga i cili ka marrë urdhrin për vendosjen e tritolit në supermarketin që është në pronësi të Çesk dhe Ardjan Breishta në Theth.
Por kjo dëshmi e dhënë fillimisht në polici, është marrë me rezerva nga grupi i hetimit, të cilët kanë ngritur dyshime të forta se ky version i dhënë nga personi i arrestuar mund të krijojë pështjellim në hetimin e gabuar të rastit.
Hetuesit mendojnë se ky version mund të jetë dhënë nga Frederik Paplekaj, për ta nxjerrë nga situata të ndaluarin dhe shërbejë si indicie hetimore me qëllim moszbulimin e personave të vërtetë që kanë urdhëruar dhe financuar këtë sulm me tritol.
Nisur nga kjo situatë, mesditën e sotme është kërkuar rimarrje sërish në pyetje e Frederik Paplekaj, por këtë herë në prezencë të një përfaqësuesi të prokurorisë Shkodër.
Policia dhe prokuroria e Shkodrës, synojnë të zbulojnë urdhëruesit e këtij atentati në Theth. Ndërsa në pyetje janë marrë dhe dy pronarët e biznesit të shkatërruar, Çesk dhe Ardjan Breishta, të cilët janë shprehur se nuk kanë pasur konflikte dhe nuk kanë asnjë njohje me autorin e krimit.
Hetimet për këtë rast vijojnë të zhvillohen nga prokuroria e Shkodrës, ndërsa 27-vjeçari Paplekaj pritet të dalë këtë javë para Gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” që do kërkojë prokuroria.
