Bankat në sistemin e BE-së, Sejko i mbledh në takim: Bëni gati teknologjinë

Në nisje të vitit të ri Guvernatori Gent Sejko ka mbledhur drejtorët e bankave të nivelit të dytë ku i ka kërkuar të plotësojnë kriteret për tu bërë pjesë e sistemit të BE. Me këtë anëtarësim ai tha se transfertat drejt unionit do të realizohen me një kohë të shpejtë dhe se komisionet do të ulen ndjeshëm

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një takimi me drejtues të bankave, ka kërkuar plotësimin e kushteve për t’u bërë pjesë në sistemin e bankave të BE.

Në njoftimin për mediet thuhet se ai kërkoi angazhimin e plotë në këtë proces duke rikujtuar edhe njëherë përfitimet që pritet të kenë shqiptarët nga ulja e komisioneve në transfertat jashtë vendit dhe shpejtësia e realizimit të tyre.

Një tjetër çështje e diskutuar mes palëve ishte edhe kreditimi i ekonomisë që ka qenë burimi kryesor i mbështetjes së ekonomisë me fonde, për të cilen Sejko kërkoi sistemit bankar të tregojë kujdes me qëllim për të ruajtur një stabilitet financiar në vend.

Në përfundim, Sejko u shpreh se transformimi digjital, mbetet i një rëndësie të veçantë për sektorin bankar. Bankat duhet të vazhdojnë të investojnë në teknologji për të përmirësuar përvojën e klientit, për të adresuar sfidat e sigurisë kibernetike.